Berisha takon fermerët e Beratit

10/04/2013 18:15

Në kuadër të takimeve me fermerët, kryeministri Sali Berisha është ndalur pasditen e së mërkurës në qytetin e Beratit, ku ka prezantuar lehtësitë që ka mundësuar qeveria për bujqit.

“Ne kemi përgatitur projektin për ndërtimin e rrugëve rurale. Ne kemi një politikë të përkushtimit ndaj qytetarëve. Ne do të japim mbështetje për më shumë lehtësi në këtë sektor”, ka thënë Berisha.

Një ndër lehtësitë kryesore ka qenë, sipas kryeministrit Berisha, heqja e taksës për importin e çdo produkti për fermerët.

Një ditë më parë, gjatë një takimi me fermerë dhe blegtorë në zonën e Shijakut, Berisha shprehu preferencën e tij për ushqimet bio shqiptare.

”Po të garantoj unë personalisht, se ushqim importi, vetëm po u fut në mënyrë klandestine, pasi ai nuk hyn kurrë në shtëpinë time”, i tha Berisha një fermeri.

Kryeministri shprehu bindjen se pa zhvillimin e qëndrueshëm rural nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar dhe sipas tij, për të lehtësuar nxjerrjen në treg të prodhimeve u ndërtuan 8 mijë kilometra rrugë në zonat rurale.

”Ne kemi angazhuar më shumë se 60 për qind të të gjitha investineve në Shqipërinë rurale, sepse ajo e tëra ishte Shqipëria e baltës. Po unë ju garantoj ju se në mandatin e ardhshëm edhe ato fshatra e komuna të cilat nuk kanë infrastrukturë do ta kenë të plotë”, premtoi kryeministri.

Berisha premtoi gjithashtu trefishimin e granteve për fermerët, nga 42 mijë familjë që e kanë përfituar deri tani, si dhe trefishimin e subvencionimit për disa kategori të prudukteve të tjera, me qëllim rritjen e prodhimit në vend.

Top Channel