Studentet e aksidentuara, pa dëmshpërblime

09/04/2013 00:00

26 studentet e Universitetit të Elbasanit që i mbijetuan aksidentit tragjik të Himarës ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin që iu takon sipas ligjit.

Studentet shprehen se kanë nevojë për vizita të vazhdueshme mjekësore ndaj edhe i kanë të domosdoshme ato para. Ato i kanë bërë thirrje Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit si dhe Kryeministrit që të ndërhyjnë për zgjidhjet e këtij problemi, duke marrë përsipër jo vetëm sqarimin e ngërçit por edhe zgjidhjen e tij.

“U bënë 11 muaj nga ngjarja dhe ne ende po sorollatemi pa marrë ende një përgjigje. Duhet të dijë i gjithë opinioni publik se ne kemi ende probleme shëndetësore të cilat kërkojnë vizita mjekësore të herëpashershme. Këto vizita kushtojnë dhe familjet tona nuk mund t’i përballojnë ato. Për këtë kërkojmë që paratë e përcaktuar si dëmshpërblim të na jepen sa më shpejt. Gjithashtu me anë të kësaj deklarate i bëjmë thirrje të gjitha instancave shtetërore që të shikojnë me seriozitet cështjen tonë”, thuhet në deklaratën e studenteve të mbijetuara.

“Ne nuk do të lejojmë që të tallen me gjakun dhe mundin tonë, ndaj duhet të zgjidhet cështja jonë, në të kundër paralajmërojmë protesta deri në grevë urie me qëllim që e drejta jonë të zgjidhet. Deri më sot kemi shpresuar në zbatimin e detyrimeve ligjore, por tani nuk mund të lejojmë që të tallen me paratë tona”, vijon deklarata e studenteve.

Autobusi me studente të degës së Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Elbasanit u rrëzua më 21 maj të vitit 2012 në vendin e quajtur Kthesa e Vishës në Himarë. Për pasojë 13 persona gjetën vdekjen, 11 studente, drejtuesi i mjetit dhe i fejuari i njërës prej vajzave.

Top Channel