Spitali “Nënë Tereza” fryn administratën për fushatë

09/04/2013 00:00

Dita e hënë është çelur me ndryshime në qendrën spitalore universitare
“Nënë Tereza”. Puna, të sëmurët, pacientët, operacionet dhe analizat
kanë vijuar si normalisht, rutinë e përditshme e stafit dhe mjekëve të
punësuar në këtë qendër spitalore.

Por administrata e kësaj qendre spitalore, më e madhja në vend, pritet të pësojë ndryshime. Strukturat e reja si në administratë ashtu edhe në shërbime shëndetësore, do të punësojnë rreth 40 punonjës të rinj. Pak kohë më parë, rreth 200 persona u larguan nga puna te “Nënë Tereza” për shkak të fryrjes dhe mbingarkesës së personelit dhe punësimet e kryera pa planifikim.

Punonjësit e shkarkuar nuk morën rrogën për tre muaj ndërsa kontrata e tyre u rinovua vetëm një herë. Rreth 40 persona do të punësohen sërish në këtë qendër, organigrama e administratës spitalore do të “fryhet” edhe një herë, ndërkohë që lëvizje nga një sektor në tjetrin, kalime të punonjësve nga një zyrë në tjetrën janë regjistruar që ditën e hënë në këtë qendër spitalore.

Largime të drejtuesve të kësaj qendre janë shënuar nga java e kaluar. Drejtori i kësaj qendre spitalore, i emëruar pak kohë më parë, pavarësisht deklaratës së kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të tërhequr të gjithë drejtuesit e emëruar në poste politike, ende nuk ka bërë dorëheqje dhe vijon punën normalisht. Drejtori i QSUT-së mund të krahasohet me postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë, për nga rëndësia por edhe nga administrimi i punës që ka në kompetencë. Ndërkohë që sipas mjekëve dhe personelit shëndetësor të QSUT-së drejtuesit në poste politike do të japin dorëheqjen deri javën e ardhshme për t’u liruar vendin të tjerëve.

Jashtë derës së qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” qëndrojnë dhjetëra qytetarë që presin emrin për t’u futur në zyra e për të takuar punonjësit e administratës, për të marrë informacion lidhur me emërimet e reja. Pavarësisht kësaj situate, punonjësit me kontrata të përkohshme në këtë qendër kanë qenë gjithmonë problem sidomos nëse janë mjekë, infermierë apo teknikë të përfshirë në strukturat e pavijoneve dhe shërbimeve spitalore. Rrogat e tyre kanë qenë gjithmonë problem për t’u paguar, për të gjetur fonde, pavarësisht dëshirës së mirë për të fuqizuar strukturat dhe për të marrë në punë më shumë nëpunës e personel shëndetësor.

Gazeta “Shqip”

Top Channel