Shtyhet sërish gjyqi për Shullazin

09/04/2013 00:00

Gjykata e Apelit në Shkodër ka shtyrë për të katërtën herë radhazi
seancën gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe shokut të tij, Helidon
Harizaj, të cilët më 3 korrik të vitit 2012 u kapën në flagrancë nga
policia e Lezhës në superstradën Lezhë-Shkodër me dy pistoleta, duke
lëvizur me një automjet.

Burime nga Gjykata e Apelit pohojnë se shkak i shtyrjes së kësaj seance është bërë mungesa në sallën e gjyqit e dy avokatëve mbrojtës dhe kjo seancë është lënë të zhvillohet me datën 22 prill.

Dy të akuzuarit kanë kërkuar që të përfaqësohen me avokatët mbrojtës në procesin gjyqësor, duke mos qenë të pranishëm në asnjë seancë gjyqësore. Emiljano Shullazi dhe Helidon Harizaj u arrestuan në muajin korrik nga policia e Lezhës, në kohën që po udhëtonin drejt Shkodrës me dy pistoleta dhe një automjet të blinduar. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Emiljano Shullazit pas arrestimit të tij, policia e Tiranës pati sekuestruar një makinë të blinduar, dy radio policie, 6 celularë dhe dy pistoleta.

Top Channel