Shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 22 dhjetor 2013 për të
shprehur verdiktin e tyre nëse në Shqipëri duhet të improtohen mbetje
për qëllime riciklimi. Datën e mbajtjes së këtij referendumi e dekretoi
Presidenti i Republikës Bujar Nishani mesditën e së martës.

Nëpërmjet këtij referendumi, inicuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, synohet shfuqizimi i nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, miratuar në Parlament vetëm me votat e maxhorancës, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Dekreti i Presidentit Nishani shoqërohet me një relacion, ku pasqyrohet e gjithë kronologjia që nga kërkesa në KQZ në fund të vitit 2011, pranimi i saj në muajin Qershor 2012, përfshi pranimin e kërkesës edhe nga gjykata kushtetuese.

Në relacion, Zyra Juridike e Presidencës sqaron se bazuar në  nenin  119, pika 2 e Kodit Zgjedhor të vitit 2003 nuk lejohet mbatja e një Referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (sipas një përllogaritje kjo periudhë korrespondon me datat 7 mars 2013 -17 dhjetor 2013).

Sipas drejtuesve të Aleancës Kundër Importit të Plehrave “Lejimi i këtyre importeve bie ndesh me strategjinë kombëtare për zhvillim të qendrueshëm edhe për zhvillim të turizmit, shpallur si prioritet strategjik i Qeverise”.

Kjo Aleancë ka renditur një sëre arsyesh përse Importi i Mbetjeve është një akt i rrezikshëm, pavarsisht se Qeveria është shprehur se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet kontrolluese në pikat hyrëse.

Por AKIP mendon se në mungesë të kapaciteteve për trajtimin e mbetjeve, importi do ta përkeqësojë nivelin e papastërtisë në territorin shqiptar. Në vend të importit të mbetjeve shtesë, Shqipëria duhet të merret fillimisht  me trajtimin e mbetjeve që ne vetë prodhojmë.

Një tjetër arsye kundërshtuese e këtij ligji është mungesa e kapaciteteve administrative, e infrastrukturës ligjore dhe monitoruese, që e bën të vështirë kontrollin e importit të mbetjeve në Shqipëri.Kontrolli i biznesit të mbetjeve në vendet fqinje thonë aktivistët e kësaj aleance, nga organizata mafioze rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion të mbetjeve të rrezikshme. Për AKIP, lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me Konventën e Aarhus-it pasi është një vendim që merret pa u konsultuar me komunitetet mbi jetën e të cilëve ai do ketë ndikim direkt.

Pë të gjitha këto arësye lejimi i importit të mbetjeve në pikëpamjen e AKIP në kushtet aktuale rrezikon jo vetëm mjedisin por edhe vetë jetën e qytetarit shqiptar. Por tani do të jenë vetë qytetarët, të cilët nëpërmjet këtij referendumi do të vendosin për një çështje kaq delikate.

PS kundër importit të mbetjeve

Partia Socialiste është deklaruar kundër Ligjit për Importin e Mbeturinave. Madje sipas saj, referendumi nuk do te jete i nevojshem pasi ligji do te abrogohet pas ardhjes se opozites ne pushtet.

Deputeti Besnik Bare theksoi se qeveria e socialiste do te krijoje per here te pare Agjensine e Pastrimit te Shqiperise.

“Në 2005, që në mandatin e parë, Sali Berisha premtoi zhvillim të qëndrueshëm në respekt të mjedisit, ndërkohë që të gjithë shqiptarët e shohin se si situata mjedisore është jashtë  kontrollit dhe e përkeqësuar. Premtoi trajtimin e të gjitha ujërave të zeza në zonën bregdetare. Deri në fundin e vitit 2012 nuk kishte asnjë qytet bregdetar në gjendje të bënte trajtimin kimik dhe biokimik të ujërave. Premtoi rritjen e nivelit të  zonave të mbrojtura, mbrojtjen e pyjeve nga prerjet pa asnjë kriter. Ndërkohë sot që po flasim Lura dhe mjaft zona të mbrojtura janë në gjendje dramatike. Pavarësisht, se sot u bë publik dekreti për zhvillimin e referendumit kundër importit të mbetjeve Partia Socialiste përsërit edhe njëherë zotimin e saj se në 100 ditët e para të qeverisjes tonë do të ndalojmë importin e plehrave dhe do të ngremë Inspektoratin Kombëtar të Pastrimit.  Në 23 qershor ne do të marrim përgjegjësinë që ta pastrojmë Shqipërinë dhe përgjegjësinë për të mbrojtur mjedisin”, tha Bare.
 

Top Channel