Pallate për romët, në njësinë bashkiake nr. 4 dhe 8

09/04/2013 00:00

Bashkia e Tiranës do të ndërtojë pallate, apartamentet e të cilave do të jepen falas për strehimin e komunitetit rom.

Banesat sociale do të ndërtohen për herë të parë brenda qytetit të Tiranës, përkatësisht në njësinë bashkiake nr. 4 dhe 8. Bashkë me pallatet, në këto zona do të ndërtohet shkollë, kopsht çerdhe, por do të rregullohen dhe ndërtohen nga e para rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve, i shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe ngritja e infrastrukturës së plotë të rrugëve qendrore e sekondare.

Bashkia e Tiranës do të bëjë ndërtimin, ndërkohë që vlerësimi i nevojave për komunitetin rom dhe gjithçka tjetër i nevojitet atyre do të bëhet nga autoritetet e Bashkimit Europian. Sipas Bashkisë së Tiranës, projekti i ndërtesave të banesave sociale është në bashkëpunim me BE-në.

Studimi, projekti i detajuar dhe numri i saktë i pallateve që do të ndërtohen në këto dy njësi bashkiake, ku ndodhet edhe numri më i lartë i komunitetit rom, do të vendosen brenda gjashtëmujorit të parë të vitit. Sipas Bashkisë së Tiranës, nga vlerësimet paraprake rezulton se romët lëvizin nga një lagje në tjetrën, por banesat do të ndërtohen atje ku ka komunitet më të madh.

Në kuadër të “Javës së vlerave rome”, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me PNUD-in, kanë organizuar edhe panairin e artizanëve, i cili është hapur në rrugën “Murat Toptani”. Në këtë panair, artizanë romë dhe nga rajone të ndryshme të vendit, do të prezantojnë punimet e tyre, si shprehje e traditave dhe kulturës së këtij komuniteti. Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, zv/kryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, ka lançuar iniciativën e përbashkët me BE-në, për rikualifikimin urban të dy zonave të populluara nga komuniteti rom në njësitë bashkiake nr. 4 dhe 8. Pjesë e rikualifikimit është dhe ndërtimi i banesave sociale për këtë komunitet dhe një shkollë e integruar me kopshte dhe çerdhe.

“Ne, bashkërisht me delegacionin e Bashkimit Europian, kemi një projekt që së shpejti fillon të zbatohet, rehabilitimi dhe rikualifikimi urban i dy blloqeve në njësinë nr. 4 dhe 8, ku pjesa më e madhe e përfituesve dhe banorëve janë pikërisht nga komuniteti rom. Kësaj zone, të cilën unë e kam parë personalisht, (pranë bregut të lumit) do i shtohet një shkollë që është tërësisht e dedikuar për komunitetin rom, do i shtohen banesa sociale, totalisht për komunitetin rom dhe kjo krahas përpjekjeve që Bashkia e Tiranës ka në mënyrë të vazhdueshme për mbështetjen e këtij komuniteti. Është një nismë e qëndrueshme, që ne më në fund po ofrojmë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet, i cili ka pasur shumë vështirësi në integrim”, tha Tabaku.

Në javën botërore të romëve, kreu i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, tha se ky komunitet do ta fitojë këtë betejë vetëm kur të gjitha institucionet dhe shoqëria të respektojë të drejtat e tyre. “Një pjesë e madhe e romëve jetojnë në kushte nën njerëzoren. Kushtet e vështira bëjnë që ata të ndihen të përjashtuar. Përjashtimi social duhet të luftohet dhe kjo luftë do të fitohet kur të respektohen të drejtat e njeriut. Romët janë një komunitet nga më të përfshirët në axhendën e Bashkimit Europian dhe ata po mbështeten vazhdimisht me fonde, për të ndjekur shkollat dhe të integrohen në shoqëri me të drejta të barabarta”, tha Ettore Sequi, ambasador i BE-së.

Raporti i fundit: Komuniteti rom jeton në kushte tepër të vështira

Një raport i fundit i UNDP-së bën një ekspertizë për të gjitha hallet dhe problemet që ka ky komunitet. Edhe pse ndodhemi në vitin 2013, problemet dhe shqetësimet e tyre kanë mbetur të pazgjidhura, pavarësisht fondeve të dhëna për integrimin e tyre dhe politikave të përfshirjes së tyre në punësim, arsim, shëndetësi, infrastrukturë e shërbime sociale.

Komuniteti rom që jeton në Shqipëri, aktualisht gjendet në kushte tepër të vështira. Pa shtëpi, pa punë, pa kujdes shëndetësor dhe pa arsim. Shumica e tyre kanë probleme me regjistrimin, ndërkohë që në këtë komunitet, pavarësisht zakoneve e traditave, vitet e fundit vërehet një ulje e lindshmërisë.

Top Channel