Dhunoi bashkëshorten shtatzënë, pesë vjet burg

09/04/2013 00:00

Vetëm pesë vite burg ka kërkuar Prokuroria e Korçës për Olsi Iljazin, i
cili dhunoi barbarisht bashkëshorten e tij shtatzënë, 28-vjeçaren Rudina
Iljazi, e cila vetëm një muaj pas ngjarjes humbi dhe fëmijën e saj,
pasi ishte në muajin e pestë të shtatzënisë.

Seancën e kaluar, 34-vjeçari kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, çka është pranuar nga gjykata. Prokurorja e çështjes, Irena Çunoti, ka lexuar edhe njëherë kronologjinë e ngjarjes, ndërsa ka pohuar se bashkëshorti dhunues akuzohet për dy vepra penale, konkretisht atë të plagosjes së rëndë dhe dhunës në familje.

Akuza, duke i kërkuar gjykatës të marrë në shqyrtim edhe humbjen e foshnjës pas dhunës së ushtruar nga 34-vjeçari, ka kërkuar në bashkim të dënimeve për dy veprat penale dhe dënimin me pesë vite burg për Olsi Iljazin, dënim ky i cili pritet të ulet ndjeshëm për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Nga ana tjetër, mbrojtja ka kërkuar kohë për paraqitjen e konkluzioneve, çka solli edhe shtyrjen e seancës. Olsi Iljazi, pas krimit të kryer, në dhomat e paraburgimit, ka tentuar dy herë të vrasë veten, duke goditur murin me kokë. Fillimisht, ai tentoi vetëvrasjen në komisariat, ndërsa më vonë bëri të njëjtën tentativë në spitalin, ku ishte shtruar për kurim. Herën e dytë, ai u ka rënë hekurave të krevatit me kokë në momentin që të do të dërgohej për masë sigurie në gjykatë, pasi policët dhe mjekët nuk e kanë lejuar të shohë gruan e tij, e cila ndodhej e shtruar në të njëjtin spital me të.

Burime të policisë, duke iu referuar hetimeve që kanë kryer në spitalin e Korçës, thanë se 34-vjeçari ka përfituar duke qenë i lidhur me pranga vetëm në njërën dorë dhe ka provuar të përplasë kokën. Vetëm ndërhyrja e policëve që ishin me shërbimin e rojës, ka evituar një vazhdim të vetëdhunimit të Olsi Iljazit, i cili më pas është ruajtur me masa më të forta sigurie, duke u lidhur me pranga, jo vetëm në të dy duart, por edhe në këmbë. Dhunimi i gruas nga ana e Iljazit u regjistrua në 12 dhjetor të vitit të shkuar, kur 34-vjeçari dhunoi me mjete të forta bashkëshorten e tij shtatzënë. Dhunës së 34-vjeçarit nuk i shpëtoi dhe vjehrra e tij.

Top Channel