Berisha për CNN: S’u prekëm nga kriza

09/04/2013 00:00

Në një intervistë dhënë për CNN International në Baku të Azerbajxhanit ku ndodhej për të marrë pjesë për punimet e Forumit Ekonomik, kryeministri Sali Berisha ritheksoi edhe njëherë reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat sipas tij mbajtën vendin larg krizës globale.

“Vite para nisjes së krizës, Shqipëria iu nënshtrua një sërë reformash të shëndetëshme që bënë të mundur që vendi të mos përfshihej nga kriza. Ne u bëmë vendi i parë në rajon që aplikoi taksën e sheshtë prej 10 përqind dhe lehtësuam të gjitha burokracitë për investimet e huaja”, nis fjalën e tij zoti Berisha.

I pyetur nga gazetari i CNN se sa kishte ndikuar kriza financiare, sidomos në Eurozonë në ekonominë shqiptare, kryeministri u përgjigj se kishte ndikuar mjaftueshëm sa për të ulur rritjen ekonomike dhe rënien e investimeve të huaja, por jo të shyste vendin në recesion.

Berisha nënvizoi investimet e mëdha që janë kryer në vend, sidomos në infrastrukturë dhe se po shqyrtohet mundësia për një pako të re fiskale. Sa i takon ndikimit të krizës që ka përfshirë Greqinë dhe Italinë, dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë, kryeministri Berisha tha se vendi ynë është prekur nga kriza në këto dy vende dhe shtroi nevojën për diversifikim të eksporteve shqiptare. “Nëse Italia dhe Greqia nuk do të ishin në krizë, eksportet tona do të dyfishoheshin cdo dy vjet”, tha Berisha.

Sa i përket misionit të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, kryeministri Berisha u shpreh se vendi ynë mbetet i vendosur për të realizuar me sukses këtë mision, pavarësisht krizës së Eurozonës. “Euro ose do të shpëtohet, ose do të shpërbëhet. Unë shpresoj të shpëtohet”, tha Berisha.

Duke u ndalur tek sistemi bankar dhe pyetjes së gazetarit se sa është prekur ky sistem nga kriza në Europë, kryeministri Berisha tha se të gjitha bankat në Shqipëri janë banka të Eurozonës, që për kohën e realizimit ishin arritje, por se tashmë ka lindur nevoja për diversifikim në këtë sektor.

“Ne kemi ftuar të investojnë në Shqipëria banka nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe banka të tjera nga Azia”, tha Berisha.

I ndalur tek misioni i qendrimit në Baku, kryeministri nuk mohoi se qëllimi kryesor është marrja e gazsjellësit TAP,  gazsjellësit që nis nga fushat gazmbajtëse azere e kalon nëpër Turqi, Greqi dhe Shqipëri për të përfunduar më pas në Italia e pjesën tjetër të Europës Perëndimore.

“Ne kemi nënshkruar një pakt tripalësh me Greqinë dhe Italinë për këtë gazsjellës që nëse realizohet do të jetë furnizuesi më i madh i Europës”, tha Berisha.

Top Channel