Shisnin drogë në shkolla, kapen dy grupe të rinjsh

08/04/2013 00:00

Dy operacione antidrogë, të shtrira në katër qytete, kanë zbuluar dy
grupe të rinjsh, të cilët shpërndanin lëndë narkotike në shkolla.

Nga këto operacione janë arrestuar shtatë persona, ndërkohë që disa të tjerë janë nën hetim. Gjatë kontrolleve, të arrestuarve u është gjetur edhe lënda narkotike, e cila ishte e përgatitur për t’ua shitur nxënësve. Njëri prej operacioneve, i drejtuar nga Policia e Durrësit, është shtrirë në Tiranë dhe Elbasan, ndërsa tjetri u krye nga Policia e Gjirokastrës.

Policia e Durrësit deklaroi se një grup kriminal shpërndarësish të lëndëve narkotike është shkatërruar gjatë operacionit policor “Bovilla”. Si rezultat i tij janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë. Të arrestuarve u janë sekuestruar dy automjete, 10 celularë, si dhe një sasi prej 1,4 kg lëndë narkotike, e llojit kanabis. Të arrestuarit janë vëllezërit Klaudi dhe Endri Myftari, përkatësisht 23 dhe 21 vjeç me banim në plazhin e Durrësit, kushëriri i tyre Izet Idrizi, 24 vjeç, gjithashtu me banim në zonën e plazhit. Bashkë me ta janë kapur Dashamir Ramazani, 31 vjeç dhe Naim Tafa, 28 vjeç, të dy nga Kamza, ndërkohë që i gjashti i arrestuar është Gylbert Kullolli, 24 vjeç nga Elbasani, i dënuar më parë për plagosje. Zbulimi i këtij grupi është bërë nga agjentët antidrogë, të cilët ishin vënë në ndjekje të tre të rinjve që vepronin në territorin e Durrësit.

Duke ndjekur ata, u arrit të zbulohet se ku e siguronin drogën dhe si funksiononte i gjithë grupi. Nga hetimi rezultoi se bima narkotike sigurohej nga fshatrat e thellë të Tiranës, ku ka nisur të kultivohet për fitime të shpejta dhe të lehta. Bima e ndaluar sigurohej nga Naim Tafa dhe Dashamir Ramazani në fshatrat e malësisë së Tiranës, nga ku dy të rinjtë kanë origjinën dhe blihej nga shtetasit e tjerë për t’u shitur në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Në momentin e kapjes, Klaudi Myftarit i janë sekuestruar në banesë edhe dy qese farmacie me kanabis, ndërsa Izet Idrizi dhe Endri Myftari janë kapur në Vorë, pasi në automjetin me të cilin udhëtonin, u sekuestruan 1 kg e 428 gramë kanabis.

Ndërkaq, nga Policia e Përmetit është bërë një tjetër goditje për shpërndarësit e drogës nëpër shkolla. Sipas të dhënave, shërbimet e Policisë në Përmet, që kanë varësi nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, arrestuan Elvis Këlliçin, 21 vjeç, lindur dhe banues në Këlcyrë. Kapja e tij u realizua pas një hetimi për një vjedhje, ndërkohë që gjatë hetimeve rezultoi se ai merrej edhe me shitjen e drogës te nxënësit e shkollës. Sipas policisë, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, ai dyshohet se ka vjedhur me thyerje një lokal në qendër të qytetit Këlcyrë, ku ka marrë një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike dhe pije freskuese, si dhe 20 mijë lekë. Rreth orës 09:00 të së djeshmes, policia kishte marrë informacion se një person, i cili shpërndante lëndë narkotike në ambiente shkollore dhe lokale nate, mund të ishte hajduti i lokalit. Menjëherë, specialistët e policisë kanë ushtruar kontroll në një palestër, e cila është në pronësi të Këlliçit dhe në ambientet e biznesit, ku u gjet lëndë narkotike. Policia tha se u gjet një pako, me peshë rreth 1 kg marijuanë, e mbështjellë me letër natriban, 38 pako të vogla plasmani, me peshë 5 gramë secila, gati për shpërndarje, një peshore, si dhe një qese të mbushur me bohçe marijuane. Po ashtu, policia gjeti edhe pijet alkoolike, që ai kishte vjedhur në lokalin e S.M. Në këto kushte, veç për shpërndarjen e lëndëve narkotike, i arrestuari do të akuzohet edhe për vjedhje. Policia tha se po punon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij.

Gazeta “Shqip”

Top Channel