Hapja e portave të hidrocentraleve ka rikthyer përmbytjet masive në zonën e veripërdëndimor e të vendit për të disatën herë brenda pak kohëve. 

Të dhënat e fundit tregojnë se në rrethin e Shkodrës, uji ka përmbytur mbi 4500 hektarë toka, ndërsa qindra banesa janë të rrethuara ose kanë prezence uji brenda tyre.

Para kamerave, banorët e zonës shprehen të revoltuar sepse askush nuk i kishte lajmëruar për hapjen e portave dhe rritjen e shkarkimeve.

Ata tregojnë se janë lënë pa asnjë ndihmë në këtë situatë ku vërshimi i uji ka shkatërruar të mbjellat, por edhe bazën ushqimore.

Ndërkohë, shkarkimet e larta nga hidrocentralet mbi Drin kanë rritur nivelin e ujit edhe në zonat që prej ditësh qëndrojnë të përmbytura si Oboti, Gorica dhe  Shirgji.

Si pasojë e rritjes së shkarkimeve rruga nacionale e komunave Dajç dhe Velipojë është bërë e pakalueshme.  

Ndërsa në qytetin e Shkodrës, dalja e liqenit ka përmbytur edhe rrugen pedonale,  në zona të caktuara, pasi rrjedha e fortë e Drinit  nga hapja e portave pengon shkarkimin e liqenit në lume.

Top Channel