Shoqata Çamëria: Rezoluta, kusht për aleanca

06/04/2013 00:00

Një ditë pas përplasjeve për rezolutën çame në Komisionin e Jashtëm ne
Kuvend, Shoqata Çamëria e quajti teatër të padenjë reagimin e dy partive
politike më të mëdha në vend.

Për Shoqatën Çamëria, justifikimet për zvarritjen e miratimit të rezolutës, synojnë joshjen e PBDNJ-së në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Pamë përpjekje të paturpshme për joshje të PBDNJ-së, nga të gjitha partitë e madhe, në atë sallë të Komisionit  dhe asnjë fjalë të tyre për tragjedinë çame. Pse vallë kur të gjithë paritë e kanë futur në programin e tyre çështjen çame?” thotë Servet Mehmeti, përfaqësues i kësaj Shoqate.

Shoqata Çamëria kërkon miratimin e rezolutës javën që vjen duke e vënë këtë si kusht për koalicion para zgjedhjeve.

“Ne i bëjmë thirrje, ndërgjegjjes kombëtare të secilit deputet, që ta miratojë javën që vjen një akt historik, si rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame. I bëjmë thirrje dy forcave politike, PD-së dhe PS-së që të mos hezitojnë të votojnë këtë rezolutë. Nëse nuk miratojnë rezolutën të mos guxojnë t’i afrohen për vota komunitetit tonë”, thotë Mehmeti.

Në rast të mos miratimit të rezolutës, Shoqata Çamëria paralajmëron protesta në Kuvend e kudo.   

Top Channel