Rama kërkon votën e ish-ushtarakëve

05/04/2013 00:00

Partia Socialiste zhvilloi një takim me ish-ushtarakët të cilëve u kërkoi votën më 23 qershor për të rilindur atë që kreu i socialistëve, Edi Rama e quajti dinjiteti njerëzor.

“Vota është arma për të ndryshuar, ku nga njëra anë është investimi për atë që ke dhe nga ana tjetër është investimi për atë që nuk ke. Atë që ke e ke patur për tetë vjet dhe nuk ka lënë gjë pa bërë për të na bindur që është gënjeshtar. Ne kërkojmë votën për të rilindur shpresën dhe dinjitetin njerëzor. Këtu është dinjiteti njerëzor që ne duhet ta fillojmë duke e nisur nga e drejta për të folur. Të flasësh dhe të dëgjohesh e jo të flasësh e të mos dëgjohesh sepse kjo nuk është liria e fjalës”, tha Rama.

Më tej duke u ndalur tek gjendja aktuale e ushtrisë shqiptare, kreu i socialistëve tha se forcat e armatosura janë të kapura nga një kupolë mafioze që kanë shndërruar zyrat në zyra hipoteke ku blihen, shiten e tjetërsohen pronat.

“Kupola e ushtrisë shqiptare është marrë peng nga njerëz që nuk kanë lidhje me interesat kombëtare dhe as me interesat e publikut shqiptar. Kupola e ushtrisë është kthyer në një zyrë hipoteke ku merren prona, hiqen prona, jepen prona, tjetërsohen prona”, shtoi Rama.

Rama u ndal edhe tek kriminaliteti në vend, që sipas tij është në shifra alarmante pasi strukturat e policisë janë të kapura nga krimi e korrupsioni dhe të paafta të reagojnë.

“Në 300 ditët e para të qeverisjes ne do t’i japim një imazh të ri Policisë së Shtetit. Policia është vizitore në vendin e krimit. Ne nuk do të bëjmë mrekullira, por do t’u japim të gjithë qytetarëve shtet”, mbylli fjalën e tij Rama.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, tha se PS në qeverisje do të vijojë reformat e ndërprera nga PD, në ushtri dhe polici. “Të ringrihet ushtria dhe emri i saj atje ku ka qenë”, shtoi Majko.

Top Channel