Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e së premtes strukturat e saj, në një takim ku është diskutuar organizimi për zgjedhjet e 23 qershorit.

Në përfundim të takimit, kryetari i PD, Sali Berisha ka shprehur bindjen e tij të fortë për fitoren e mandatit të tretë të kësaj force politike.

“Një entuziazëm i madh ka përfshirë bazën e PD, strukturat dhe mbështetësit e saj për një fitore të thellë e të shkëlqyer të 23 qershorit”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka thënë se në mandatin e ardhshëm qeveria e tij do të zhbllokojë edhe miratimin e 3 ligjeve të integrimit, të cilat sipas tij u bllokuan qëllimisht nga lideri i opozitës.

“Qeveria plotësoi të gjitha reformat me të cilat u bë e mundur që KE të rekomandonte statusin. Por Edi Rama i bllokoi ato me votat e tij, vetëm e vetëm që Shqipëria të mos e merrte statusin”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, pasi mësoi se Brukseli nuk do të hartonte raport për Shqipërinë, kreu i PS bëri një sërë lëvizjesh për t’u hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë.

“Por e vërteta është se po s’i votoi ai, ato ligje do t’i votojë sovrani me referendum gjatë mandatit të ardhshëm të PD”, ka shtuar Berisha.

Edhe gjatë paradites, gjatë një ceremonie përurimi, kryeministri shprehu bindjen se më 23 qershor shqiptarët do t’i besojnë sërish Partisë Demokratike qeverisjen e vendit.

Kjo, pasi siç tha ai, PD është forca politike e premtimeve të mbajtura, që anëtarësoi vendin në NATO, liberalizoi vizat, garantoi rritjen ekonomike dhe dyfishoi pagat dhe pensionet.

Top Channel