Gjithcka është bërë zyrtare, Ilir Meta ka deklaruar zyrtarisht tërheqjen nga qeveria dhe njëkohësisht ka pranuar ftesën e Partisë Socialiste për koalicion parazgjedhor, duke synuar një marrëvshje parimore për stabilitetin e vendit dhe përmbushjen e disa nevojave tepër të rëndësishme për vendin në vijim. Për këtë lëvizje të fundit, të konfirmuar tashmë, kanë qenë të ftuar në “Top Show”-n e Alban Dudushit: Sajmir Tahiri, deputet i PS-së, dhe analistët Lorenc Vangjeli, Artan Hoxha e Roland Lami.

“Këto kanë qenë dy ditë të ngarkuara me opinione dhe analiza të shumta në lidhje me ngjarjen e fundit, por personalisht për mua nuk është si një rrufe në qiell të hapur, pasi dera e Partisë Socialiste ka qenë gjithnjë e hapur për një koalicion të gjerë, gjithashtu ftesa ndaj LSI-së ka qenë e mundshme prej kohësh, por u realizua tani, që kjo forcë politike del nga qeveria dhe kalon në opozitë. Jam munduar të ndjek të gjitha analizat, kritikat apo mllëfin e ditëve të fundit. E shoh si një xhest që duhet t’i nënshtrohet moralit, por gjëja më e rëndësishme morale e sotme është largimi i qeverisë së kryeministrit Berisha nga pushteti. Shanset me këtë koalicion të gjerë janë shumë herë më të mëdha për realizimin e këtij qëllimi. Në të kaluarën Edi Rama është sulmuar, pse nuk arrin të bashkojë të majtën, pse nuk arrin të gjejë një marrëveshje me Ilir Metën, për të siguruar fitoren dhe kthimin në pushtet. Premisa e vetme për Rilindjen shqiptare është fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit. Ne do të kemi një marrëveshje ‘kornizë’ me LSI, për ushtrimin e përgjegjësive tona gjatë qeverisjes, ashtu sic do të ketë marrëveshje edhe forcat e tjera politike që dëshirojnë të futen në koalicionin e gjerë. Nuk e shoh këtë veprim të fundit si ‘kërkesë-ofertë’, por mos kërkoni opinion timin ndaj deklaratës së Luan Ramës, se përse nuk e arriti të konfirmonte bashkimin me PS-në dhe largimin nga qeveria. Mua mund të më pyesni për gjendjen aktuale të vendit, ku mbizotëron varfëria, ku mbizotëron korrupsioni, ku nuk ka transparencë në qeverisje, ku papunësia është tejet e lartë, dhe sigurisht për atë që presin qytetarët nesër prej nesh: një qeverisje më të mirë, për të zgjidhur këtë gjë. Më e rëndësishme se negociatat, gjëra teknike, mes dy apo më shumë partish politike, ka rëndësi ajo që kërkojnë qytetarët, një jetë më të mirë dhe ndryshe nga kjo e deritanishmja. E kuptoj shumë mirë reagimin publik, nuk mund të bëjmë sikur nuk e kuptojmë, por me sa shpjegova besoj se tjetër gjë ka rëndësi”, nisi diskutimin Sajmir Tahiri.

“Këto që kanë ndodhur, unë i shoh si një shenjë normalizimi të politikës, ku ka akte që nuk mund të shihen tabu, por thjesht shmangen aktet e tradhëtisë, sic mund të jetë folur më parë. Kemi parë një ofertë të Partisë Socialiste, që për të arritur fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit ka kuptuar se duhet riparuar gabimi ‘fatal’ i së kaluarës, ndërkohë që kemi parë edhe një reagim të Ilir Metës, me një dalje mëse normale nga qeveria, tërheqjen e ministrave në pushtet dhe argumentat e sjella për pranimin e ftesës për koalicion të gjerë me PS-në, gjithcka deri këtu duket si dicka normale”, u shpreh Artan Hoxha.

“Kemi parë një lëvizje, që si konkluzion ka gjithnjë një zgjedhje domethënëse të LSI-së, gjithnjë në shqyrtim të të gjitha ofertave politike, por që përfundon të jetë pjesë e qeverisjes. Kjo kthesë e menjëhershme e LSI-së mund të ketë zënë në befasi Berishën, pasi marrëveshja vërtet që nuk përfundoi deri në afatet e parashkruara. Megjithatë lëvizja e LSI-së duket si dicka jo anormale, nga e majta në të djathtë, por thjesht një kthim në familjen e tij, teksa tashmë na mbetet të analizojmë marrëdhëniet mes dy partive, pasi është pothuajse e faktuar se shumë gjëra kanë ndryshuar nga viti 2009 dhe opozita tashmë duket më shumë e bashkuar se herë të tjera”, tha Roland Lami, duke shpjeguar ndryshimin e atmosferës politike mes të majtës, edhe pse Ilir Meta duket se është i destinuar të mbetet gjithnjë në qeveri.

Lorenc Vangjeli: “Kam qenë një partizan i kësaj lëvizjeje që prej vitit 2009, por atëherë nuk ndodhi dhe, sipas gjykimit tim, atë lëvizje të atëhershme mund ta quajmë anormale, pasi koha tregon se LSI ndoshta duhet të ishte treguar më e duruar në vendimmarrje. Gjithmonë kam thënë se do të vijë një ditë, që do të heshtin ata që kanë bërë opozitë me opozitën, dhe lëvizja e LSI-së tashmë politika po hyn në shinat e duhura. Tani do të ndryshojnë pozitat edhe në KQZ… Besoj se ndeshja ka nisur të bëhet e barabartë, pasi kemi një kryeministër që mban thikë në gojë e në duar, ndërsa opozitës i kërkohet se pse nuk mundet të mbrojë votat. Kjo është një lëvizje fillestare, mbetet për t’u parë dhe saktësuar detajet e bashkëpunimit mes këtyre dy forcave kryesore të së majtës”.

“Dua të vazhdoj me idenë e normalitetit të mësipërm. Edhe studio juaj këtu nuk është dicka normale, pasi jeni detyruar të ndërroni ambiente për shkak të asaj, që ka bërë kryeministri aktual kundrejt jush, e megjithatë media juaj mbetet sërish komode dhe kthehet shumë shpejt në normalitet”, theksoi Vangjeli.

“Situata nuk ka ndryshuar aspak, pavarësisht ngjarjes së dy ditëve të fundit, pasi qytetarët kanë po të njëjtat arsye për të kërkuar ndryshimin e qeverisë në 23 qershor, arsyet pse ne jemi të detyruar të bëjmë ende opozitë janë po të njëjtat: korrupsioni, transparenca, punësimi, varfëria, shkollimi, shëndetësia. Nevoja për një Rilindje të Shqipërisë mbetet ende po aq e domosdoshme, teksa tashmë, me bashkimin me LSI-në, ajo bëhet dicka më e realizueshme, më konkrete. Synimi kryesor është rrëzimi nga karrigia e kryeministrit, Sali Berishën. Sipas meje dhe sipas bindjes tonë, ai është keqpërdoruesi më i tmerrshëm i sistemit politik, qoftë atij të qeverisjes me qytetarët, qoftë ai për qeverisjen me ‘duar të pastra’ për qytetarët. Berisha është mishërimi i “hallit të shqiptarëve”, prandaj programi ynë nis nga lidhja me qytetarët dhe nga nxjerrja në pension e kryeministrit të sotëm, edhe pse ne i premtojmë se ai do të ketë një jetë më të mirë, se sa ka sot, edhe pse do të gëzojë po të njëjtën pleqëri, sic do t’iua mundësojmë gjithë qytetarëve të tjerë. Programi ynë më shumë adreson problemet, se sa u jep rëndësi emrave të përvecëm”, reagoi Tahiri.

Afrimi i LSI-së në koalicion, shqetëson aleatët

“I shoh të natyrshme këto reagime emocionale të aleatëve tanë. Më vjen keq për ta, që kanë përdorur këto tone, por duhet të them se Partinë Socialiste nuk e lëkund askush nga idetë e veta. Ne programin e kemi hartuar me zotin Prec Zogaj në tryezë, nuk e kuptoj pse deri dje ai program ka qenë i duhuri dhe i mbështetur, ka qenë i qenësisht dhe realist, ndërsa sot mund të ngrihen dyshime… Asgjë nuk ndryshon pse tryeza e opozitës është bërë më e madhe, pse mundësitë për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit janë më të mëdha. Nuk besoj se programi ynë mund të lëkundet nga sjellje individuale”, reagoi Tahiri ndaj kritikave të aleatëve të tjerë.

Artan Hoxha: “Në fakt, sjelljen e atyre që janë kundër këtij bashkimi e konsideroj ekstremizëm. Dua të shoh se, cila pjesë e këtyre ekstremistëve do të hezitojë të votojnë në 23 qershor pro opozitës së tanishme, dhe cila do të kthehet të votojë pro kësaj opozite, sepse kështu kanë dashur që prej 2009-s. E rëndësishme është që qëndrimet mes dy forcave më të mëdha të opozitës, PS dhe LSI, të harmonizohen mes tyre, ose Meta do të afrohet me programin Rilindje, ose Rilindja do të modifikohet sipas kërkesave të Metës, në mënyrë që kjo marrëveshje e publikuar këto dy ditë të marrë formë reale. Mendoj se, pavarësisht nga afrimi i LSI-së, qëndrimet pragmatiste të disa ‘ekstremistëve’ brenda të majtës do të garojnë së bashku me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit. Një koalicion i tillë, me përgatitje që kanë filluar prej më shumë se 1 viti, pasi janë zbutur kritikat, ka nevojë për arritjen e disa të përbashkëtave pozitive, si dhe njohjen e arritjeve të qeverisjes aktuale, ku në vecanti ka kontribuar LSI-ja”.

“Kam parë sot moralistë, që bëjnë moral për kauza të drejta, që nuk e kanë bërë kurrë më parë. Pikëpyetja më e madhe që i vihet programit tonë, pse është shtuar LSI, besoj se nuk ka qytetar sot që flet për korrupsionin, pandëshkueshmërinë, për arsimin dhe shëndetësinë e munguar, dhe përmirësimin e këtyre veseve, pa u takuar me qytetarët dhe pa mësuar nevojat e tyre. Problemi kryesor për mua është kjo: sot, pavarësisht uljes në tryezë të shumë forcave politike opozitare, për sa kohë që Berisha mbetet më i braktisuri, fakt është se ai mbetet ende kryeministër dhe kjo e bën akoma më të nevojshme që opozita ndaj tij të jetë edhe më e fortë, edhe më e bashkuar, për të fituar zgjedhjet”, u shpreh Sajmir Tahiri.

“Në fakt, e gjitha kjo bëhet vetëm për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Berisha nuk ka ditur kurrë të kryejë zgjedhje të lira e të ndershme dhe gjithnjë do të tentojë të vjedhë e të manipulojë zgjedhjet. Besoj se bashkimi me LSI-në ofron më shumë siguri për të mos lejuar vazhdimin e kësaj ideologjie të kryeministrit aktual edhe në 23 qershor”, shtoi Vangjeli.

“Besoj se cdo gjë në lidhje me ne do të provohet në 23 qershor, atëherë kur jam i sigurt se në fund të ditës opozita e sotme do të ketë më shumë vota se sa pushtetarët e sotëm. Sa i përket garancisë së votës, që u shpreh zoti Vangjeli, besoj se ne, me këtë lëvizje, nuk është se po marrim një roje apo gardian në mbrojtje të votës, por qëllimi është minimizimi i mundësive për vjedhjen e votave të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme. Gjë që me siguri do të na bëjë ne fitues të atyre zgjedhjeve, pasi mbështetja në publik dihet prej vitesh: Berisha, pavarësisht se ka qeverisur vendin në këto 8 vjet, nuk ka patur kurrë shumicën në popull”, replikoi Tahiri.

“Me krijimin e aleancës me LSI-në do të ketë një anashkalim të bilanceve negative të qeverisjes së viteve 2009-2013, vecanërisht aty ku ka drejtuar LSI, dhe Partia Socialiste do të përpiqet tashmë të ndërtojë akuzën mbi ato dikastere të drejtuara nga ministra të varur tërësisht nga kryeministri, pasi në të kundërt nuk do të kuptohet se cfarë mund të bëjë ndryshe LSI, tani që do të kalojë me PS-në, në qeverisjen e nesërme të vendit. Kjo bën që të shtohet disi “kostoja” e cështjeve parimore e substanciale të programit të Partisë Socialiste, pasi do të duhet të arrijë në disa piketa të pranueshme edhe me Ilir Metën”, shprehet Roland Lami.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Tahirit, i cili sqaron: “Nëse mendoni se tani e tutje ne do të ndryshojmë sjellje, këtë nuk do ta bëjmë. Do të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, do të vazhdojmë të luftojmë transparencën. Ne duhet të ndreqim sistemin, pasi Berisha nuk është i keq pse është ai që është, por sepse është keqpërdoruesi më i madh i një sistemi që nuk funksionon. Kjo më bën që të besoj ende më shumë te programi për një Rilindje shqiptare. Unë nuk besoj se Edi Rama përmbledh brenda vetes gjithë drejtësinë e mundshme të botës, por ai drejton një grup, ku ne të gjithë garantojmë se shqiptarët do të kenë nesër një tjetër perspektivë për jetën. Unë ju siguroj se nuk do të ketë asnjë tryezë opozitare, që të na bëjë neve të heqim dorë nga angazhimet tona parimore, për të cilat kemi punuar prej shumë kohësh dhe jemi zotuar se do t’i vëmë në zbatim pas 23 qershorit. Ju them me siguri se në 23 qershor, premisat për largimin e Berishës nga posti i kryeministrit janë shumë më të mëdha”.

“I dashur armik, po ju numërojmë disa arsye: Në vitin 2009 u bë një gabim nga ana e LSI, duke kapërcyer nga ideologjia e saj dhe familja e saj e majtë, për të kaluar me PD-në për integrimin europian dhe për të përmirësuar nivelin jetësor. Kjo u kuptua që ishte një dështim, jo vetëm i LSI-së por i të dy forcave qeverisëse. Sot po qortohet gabimi i 2009-s, ndërkohë që Meta ka kuptuar se sot Shqipëria jo vetëm që nuk e ka arritur integrimin, por as mirëqënia e vendit nuk është përmirësuar, përkundrazi, është përkeqësuar. Për krizën e rëndë që po kalon shëndetësia nuk është përgjegjësi e tëra e LSI-së, pasi ndarjen e buxhetit nuk e bënte LSI, por vet kryeministri me Këshillin e tij të Ministrave”, shpjegon më tej Vangjeli.

LSI, nuk ndryshon asgjë në lidhje me këshillat bashkiakë

“Përtej numrave në parlamet, apo garës së numrave, mendoj se edhe me arnimin e fundit të qeverisë, problemet e qeverisjes së Berishës mbeten. Se si do sillemi ne si opozitë nesër, mbetet për t’u vendosur nga forumet. Por nëse më pyesni se arnimi i qeverisë është dicka e mirë, s’besoj se kjo qeveri nuk meriton një arnim të tillë kur kanë mbetur 2 muaj nga zgjedhjet. Kjo sepse destinacioni i radhës, më 23 qershor, është përballja me vullnetin e qytetarëve. Sa i përket ligjeve të integrimit, unë garantoj se pala jonë do të bëjë gjithcka të nevojshme e të domosdoshme, që në dhjetor Shqipëria të marrë statusin kandidat për në Bashkimin Europian, duke mos humbur shansin sic e ka humbur Saliu 3 herë rresht. Ne garantojmë se integrimi europian nuk do të vijë përmes referendumit, sic premton Berisha, por do të bëjmë gjithcka të mundur për ta arritur në parlament. Ashtu sikurse garantojmë se rregullorja e parlamentit do të miratohet në momentin e duhur”, shprehet Tahiri, në lidhje me cështjen e votimit të 3 ligjeve të integrimit, duke iu përgjigjur dyshimeve “nëse PS do votojë 3 ligjet në parlament apo jo, përpara qershorit”.

“Dua të them se nesër qeveria do të votëbesohet me maksimumi 73 vota, por cfarë morali ka kjo, pasi ajo mbetet një qeveri ilegjitime, e ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe me vota të trafikuara, dhe po ashtu besoj se do të mbahet në pushtet, në mënyrë ilegjitime, edhe në këto 2 muajt e fundit të qeverisjes. Saliu ka qenë frikacaku më i madh, më i trembur, për të luajtur rolin e sovietikut të fundit në ballkan”, thekson Vangjeli.

Roland Lami: “Nuk mund ta kuptoj se ku ndryshon bashkimi i dy forcave ‘me trafikim votash’ për të qeverisur vendin, që ndodhi në 2009, nga ky bashkimi i sotëm, që merr një forcë nga pushteti në opozitë, për të dalë në pushtet të nesërmen. Besoj se nëse do të bëhej fjalë për moralitet, këto lëvizje janë pothuajse e njëjta gjë dhe nëse e para konsiderohet imorale, atëherë edhe e dyta e tillë do të jetë. Nuk e di se kush mundet të sigurojë, që kjo e dyta është ndryshe nga imoralja”, përfundoi diskutimin Roland Lami.

Top Channel