Kreu i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian ka përshëndetur zhvillimet më të fundit politike në Tiranë.

Hannes Swoboda, në një interviste për “Top Channel” deklaroi se te dyja keto parti te majta kane ideologji te njejta dhe bashkepunimi i tyre ne zgjedhje do t’i japë vendit një lidership më dinjitoz.

Top-Channel: Z. Swoboda, PS ftoi zyrtarisht LSI-në në një koalicion të “bekuar” nga Stanishev, Papandreu dhe Pitella. Çfarë mendoni ju për Edi Ramën dhe Ilir Metën dhe pse duhej ky bashkim?

Hannes Swoboda, kreu i Socialistëve dhe Demokratëve në PE: “Ka qënë gjithnjë bindja jonë se dy partitë duhet të punojnë sëbashku, sepse ato kanë ide shumë të ngjashme dhe ndoshta ishte problemi i hidhur i personaliteteve që konfliktoheshin dhe përplaseshin. Por, tani mendoj se kemi një iniciativë të mirë, sepse vendi ka nevojë për një alternativë. i takon popullit shqiptar të vendosë, por tani ne kemi një alternativë të vërtetë, nga njëra anë e majta, e majta demokratike dhe nga ana tjetër krahu i djathtë. Dhe kjo lloj konkurrence është e mirë për vendin dhe për zhvillimin e tij.

Mendoj se të dy kanë personalitet të fortë. Të dy kanë bindjet dhe historinë e tyre. Dhe unë mendoj se nëse ata do të punonin dorë për dore, Edi Rama me Ilir Metën, kjo do t’i jepte vendit zgjedhjen për të pasur një lidership të fortë. Dhe mendoj se kjo është ajo që i duhet vendit, një lidership i fortë për ta çuar vendin përpara, për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të nisur negociatat me Bashkimin Europian.”

Top-Channel: Z. Swoboda, në katër vitet e fundit, më të vështirët, Z. Berisha nuk ka qeverisur i vetëm. A nuk trëmbeni që në vend të votave shtesë, ky koalicion mund t’i sjellë ndoshta një kosto shtesë opozitës?

Swoboda: “Shikoni. Ne nuk ishim shumë të lumtur kur z. Meta dhe partia e tij u futën në qeverinë e z. Berisha. Në anën tjetër, kishte konflikte dhe sherre mes socialistëve dhe lëvizjes për integrim, pra nuk kishte një bazë për një bashkëpunim të ngushtë. Unë mendoj se ne duhet të shohim nga e ardhmja. Shqipëria duhet të shohë nga e ardhmja dhe e majta demokratike duhet të shohë nga e ardhmja. Mendoj se ky lloj orientimi i ri, duke parë nga e ardhmja, duke prezantuar një alternativë të krahut të së majtës demokratike, është një gjë e mirë jo vetëm për partitë në fjalë, por edhe për Shqipërinë.”

Top-Channel: Ju pata pyetur për rastin e z. Meta pas vendimit të gjykatës “që befasoi shumë” në BE, për “rastin e vetëm të korrupsionit të nivelit të lartë” siç e cilësoi Komisioni në 2011. Atëherë thatë se “të gjithë duhet të mësojmë të vërtetën objektive”. Po sot çfarë mendoni ?

“Sigurisht që mbetet njësoj. Unë mendoj se e vërteta dhe e vërteta objektive duhet të zbulohet. Por sërish, pas gjithë çfarë ndodhi dhe gjithë çfarë mund të zbulohet në të ardhmen, unë ende nuk e di nëse kaseta ishte manipuluar apo jo.

Ne nga jashtë nuk mund të ndërhyjmë kurrë në vendimet e çështjeve gjyqësore. Gjërat duhen qartësuar. Dhe unë isha shumë i lumtur kur z. Meta dha dorëheqjen nga qeveria për t’i bërë gjërat më të lehta për vendimin e gjykatës. Në lidhje me detajet, e dini, ne kemi nevojë për një luftë të fortë kundër çdo lloj korrupsioni. Por, kemi nevojë për një luftë pavarësisht personaliteteve. Unë shpresoj dhe jam absolutisht i sigurtë se krahu i ri i së majtës do ta bëjë atë luftë kundër korrupsionit. Çfarë do ka ndodhur në të kaluarën, e ardhmja në Shqipëri duhet të jetë e mbyllur për korrupsionin, dhe e hapur për politikanët që frenohen nga veprimet korruptive, sepse kjo është ajo për të cilën vendi ka nevojë. Vendi është i ngopur, vendi është i lodhur nga politikanët që luajnë lojra sikur luftojnë korrupsionin, por nga pas bëjnë vetë korrupsion. Dhe ky duhet të jetë mesazhi i qartë i të majtës: stop korrupsionit, ne zgjedhim politikën e pastër.

Po flasim për të ardhmen e vendit dhe vendit i nevojitet një nxitje, një dinamizëm dhe një lëvizje e re politike, në mënyrë që të ketë më në fund një marrëveshje me Bashkimin Europian për të nisur negociatat. Sërish, siç është përsëritur shumë herë, sepse nuk ka pasur një qeveri qartësisht të fortë për të udhëhequr vendin drejt Bashkimit Europian”.

Top-Channel: Këtu në Parlamentin Europian, z. Swoboda, në zemër të BE-së, ne e dimë se si u morët ju me rastet e fundit të korrupsionit. Pse duhet të jetë ndryshe për Shqipërinë, qoftë për qeverinë apo për opozitën ?

Swoboda: “Është gjithnjë një luftë e vazhdueshme. Ju e dini se këtë situatë e gjejmë edhe në vende të tjera. Shqipëria nuk është i vetmi vend ku ka korrupsion, ka edhe vende perëndimore ku ka korrupsion dhe mungesë transparence, si në Francë apo në vende të tjera si vendi im, Austria. Pra mendoj se pyetja nuk është nëse egziston apo jo korrupsioni, por nëse partitë politike dhe politikanët janë gati të luftojnë kundër këtij lloj korrupsioni, dhe kjo është absolutisht e nevojshme. Këtu nevojitet një zë i qartë dhe unë shpresoj se lëvizja e re e së majtës do të ketë një këndvështrim të qartë se korrupsioni është i papranueshëm. Zero tolerancë për korrupsionin”.

Top-Channel: Përveç përllogaritjeve partiake apo politike, a duhet politikanët të ndjekin edhe disa vlera dhe parime, veçanërisht kur përballen me zgjedhje kritike për të cilat kërkohen standarte europiane për të ardhmen e vendit.

Swoboda: “Nëse shohim zgjedhjet e ndryshme europiane, gjithnjë e më shumë qytetarë janë të ngopur me politikat që nuk ndjekin disa vlera të caktuara. Dhe sigurisht që jo vetëm duhet folur për vlerat, por ato duhen praktikuar dhe zbatuar. Dhe kjo është sigurisht e vërtetë për të gjithë zonën e ashquajtur e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Dhe unë mendoj se është absolutisht e qartë që ju nevojitet një farë pragmatizmi, në ekonomi, në zbatimin e politikave, por ju nevojiten gjithashtu vlerat. Dhe njerëzit duhet ta dinë se cilat janë qëllimet e lëvizjeve politike dhe partive politike sot. Dhe për mua si social-demokrat, vlerat e përfaqësuara nga dy partitë, socialistët dhe lëvizja për integrim janë: liria, demokracia, por gjithashtu çështjet sociale dhe barazia sociale. Këto janë vlerat që duhet të ndjekin dhe sigurisht siç e thashë më parë, gjithashtu edhe luftën kundër korrupsionit.”

Top-Channel: Nëse zbatimi ka munguar në vitet e fundit kur z. Meta ka qeverisur me z. Berisha, pse mendoni se duhet të jetë ndryshe në qeverisjen me z. Rama, nëse kjo gjë ndodh?

Swoboda: “Mendoj se ne nga krahu socialist do të vëzhgojmë me shumë kujdes veprimet e tyre dhe ne kemi një aleancë të fortë me të dyja partitë dhe do të bëjmë shumë presion mbi të dy partitë, jo vetëm për të bashkëpunuar, por për të bashkëpunuar për politika me orientim dhe drejtim nga vlerat dhe sigurisht zbatimin, e jo politikat e hakmarrjes. Nuk është për pjesën e hakmarrjes ndaj qeverisë ku Ilir Meta ka marrë pjesë por për të parë nga e ardhmja. Dhe e gjithë këshilla jonë, siç e bëmë në Rumani dhe në raste të tjera ishte: mbajuni lojës, mbajuni rregullave të lojës demokratike. Mos bëni politikë për hakmarrje ndaj asaj që ka ndodhur, por shihni nga e ardhmja dhe jepini qytetarëve të vendit një shans për t’u identifikuar me politikat. Jepuni të rinjve një punë. Jepini një infrastrukturë të re vendit. Kjo është e rëndësishme për vendin.”

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel