Shqip, qytetarët që protestojnë

01/04/2013 00:00

“Ju uroj të gjithëve të keni një arsye për t’u indinjuar. Është e pacmueshme kur dicka ju indinjon, sic u indinjova unë nga nazizmi, atëherë bëhesh militant, i fortë dhe i përkushtuar. Kështu bashkohen rrjedhat e historisë. Rryma e madhe e historisë duhet të vazhdojë falë ndihmës të secilit prej nesh. Nëse ndeshni një njeri që nuk indinjohet, kini mëshirë për të e ndihmojeni të mësojë”.

Kështu shkruan Stephane Hessel në manifestin “Koha për Zemëratë”, manifest që nxiti protestat në mbarë Europën në vitin 2010 kundër krizës financiare. Hessel ndërroi jetë në ditet e fundit të muajit shkurt në moshën 95-vjeçare, por ajo që la pas ishte aftësia e tij për të protestuar kundër padrejtësisë, që jo më kot e bënë të thërritej edhe si “babai i protestës moderne”.

Të indinjuarit u frymëzuan nga një pamflet me shtatë faqe A4,  kaq mjaftoi për të ngritur në këmbë ata që dinin të reagonin, dinin të zemëroheshin atëherë kur asnjë s’e priste. Ata që protestojnë, ata që refuzojnë padrejtësitë, ata që frymëzojnë të pakënaqurit ishte tema e emisionit “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga këtë të hënë në Top Channel.

Në  “Shqip” të ftuar ishin tre të rinjtë aktivistë të Grupit të Qytetarëve të Organizuar në Prishtinë, Ylli Rugova, Rudina Asimja, Rron Gjinovci si dhe gazetari dhe analisti, Aleksandër Çipa.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar në Prishtinë është nismëtari i protestave të fundit në Kosovë kundër faturimit të energjisë elektrike. Protestat detyruan autoritetet të tregojnë kujdes me faturimin, ndërsa cështja mbërriti në Kuvend ku ky i fundit ngriti një komision hetimor.

Ylli Rugova nga kjo lëvizje rrëfen se si u bë pjesë e lëvizjes, se si nisi “revolta” nga eksperianca e tij personale kur i kishte mbërritur fatura e energjisë elektrike 170 euro vetëm për muajin dhjetor. Përhapja e shqetësimit në rrjetet sociale, tha ai, ndikoi në perceptimin se nuk bëhej fjalë për pak raste, por për shumë individë që mbifaturoheshin.

“U thërrit protesta në Facebook në mënyrë spontane”, rrëfen ai.

Për gazetarin Aleksandër Çipa në Shqipëri mungon masiviteti shoqëror për të protestuar, ndryshe nga Kosova. “Në Kosovë më duket e mundur organizimi i një proteste spontane sepse në Kosovë ka një reagim qytetar shumë herë më aktiv se në Tiranë. Ne kemi dy raste së fundmi në harkun kohor të një muaji në Tiranë ku ka patur një thirrje me nismëtar Erjon Kristo, për mbrojtjen e jetës së konsumatorit, për mbrojtjen e jetës nga produktet ushqimore. Ishte një tubim që nuk kishte masivizim shoqëror. Në rastin e dytë ishte një protestë e organizuar nga rrjeti i Shoqërisë Civile para Presidencës në rastin e pedofilisë. Edhe këtu kishte një pjesëmarrje disi më të madhe, por të themi të drejtën në Shqipëri masiviteti për një pjesëmarrje në protesta mungon.Është vrarë ndoshta që në periudhën e ngjarjeve të 21 janarit”, tha zoti Çipa.

Duke u ndalur tek 21 Janari, aktivistja e Grupit të Organizuar të Qytetarëve në Prishtinë, Rudina Asimja thotë se ngjarjet të tilla janë një dështim për Shqipërinë, aq më tepër që askush nuk mbajti përgjegjësi për to.

“Ndaj mendoj, të protestojmë tani për të parandaluar dicka të tillë në Kosovë”, thotë ajo.

Pjesës së dytë në studion e “Shqip” iu bashkua psikologu Edmond Dragoti i cili u mundua të nxjerrë në pah ndryshimet mes shoqërisë civile në Shqipëri dhe asaj në Kosovë.

“Është shumë interesante në Kosovë. Kemi një ndërgjegjësim, ose krijohet përshtypja që ka një ndërgjegjësim më të madhe të shoqërisë civile se sa në Shqipëri për fakltin që atje kemi protesta të shfaqura dhe protesta të suksesshme që pasohen me një ndryshim në sistemin e drejtimit të shoqërisë, ndërsa në Shqipëri nuk ndodh kjo. Ka disa shkaqe që e ndajnë këtë, kemi një kulturë të përbashkët, por pushteti shqiptar ofron një model totalitar, një model nga lart poshtë ku strukturat e shoqërisë nuk e gjejnë veten vazhdimisht. E gjen veten më i forti, jo më i afti, gjen veten ai që mbështet njëshin dhe jo ai që e kundërshton dhe e refuzon atë. Në këto kushte në të gjitha strukturat e shoqërisë ai që proteston përjashtohet automatikisht. Është i papranueshëm në këtë grup shoqëror dhe nuk përfiton nga të mirat materiale, shpirtërore apo shoqërore që ofron shteti e pushteti në një sistem të caktuar. Prandaj kjo lloj kulture tradicionale që ne mbartim akoma është një pengesë e fortë për vetëdijen kombëtare për t’u shfaqur. Së dyti ka një dallim serioz të vetëdijes në Shqipëri nga ato në Kosovë. Kjo lidhet me besueshmërinë ndaj institucioneve shtetërore. Në Shqipëri nuk beson njeri tek institucionet sepse ato i përkasin një njeriu të vetëm dhe jo popullit. Institucionet, qoftë ekzekutivi, apo drejtësia në Shqipëri komandohen nga një njeri i vetëm, ndërsa në Kosovë prania e ndërkombëtarëve i bën institucionet më të besueshme në sytë e publikut. Fakti që ato kushtëzojnë lirimin nga detyra të një ministri, përfshirjen e tij në proces gjyqësor rrit besueshmërinë ndaj institucioneve”, tha zoti Dragoti.

Por Rron Gjinovci kundërshtoi zotin Dragoti duke thënë se në KS ka humbur besimi ndaj institucioneve në gjendje aktuale, por nuk ka humbur besimi për institucione më të mira.

Psikologu Edmond Dragoti shtoi se vetëdija qytetare si në Kosovë si në Shqipëri është e njëjtë, por ndryshimi është tek prezenca më e madhe e faktorit ndërkombëtar atje dhe tek besimi më i fortë i shoqërisë kosovare për institucione më të mira.

Zoti Dragoti tha se ngjarjet e 21 janarit dëmtuan shpirtin e protestës dhe revoltës. Ai e cilësoi këtë ngjarje si dominante në historinë e Shqipërisë që do të ketë pasojë edhe në të ardhmen.

“Ne kemi 20 vjet që e provojmëtendencën për përmirësimin e institucioneve, por ato vazhdimisht nuk ndryshojnë. Të rinjtë shohin modelin e shtetit shqiptar i cili pengon rebelimin, protestën. 21 janari është një vrasje dominante në historinë e Shqipërisë që do të ketë efekte edhe në të ardhmen. Ai ishte modeli i shtetit autoritarist që nuk lejon protesta dhe që shumëzon me zero cdo shprehje të vetëdijes qytetare dhe cdo tendencë tjetër që është shfaqur më vonë. Të gjitha protestat pas 21 janarit kanë dështuar dhe kjo bën që njerëzit të mos besojnë më tek protestat e tyre dhe ata kërkojnë ose duan të kenë një siguri në faktin që kjo protestë do të jetë e suksesshme apo jo”, tha ai.

Ndryshe nga Kosova, ku protestat në të shumtën e rasteve janë kundër korrupsionit qeveritar, për gazetarin Aleksandër Çipa Shqipëria ka më shumë nevojë për një katarsis, një ndryshim total, pasi sipas tij, tek ne sistemi është degraduar, sidomos drejtësia.

E në fund të “Shqip” tre aktivistët e Grupit të Organizuar të Shoqërisë në Prishtinë dolën me një mesazh për rininë shqiptare.

“Ajo që unë, Rudina dhe Ylli Rugova ishim këtu është për të thënë që mos u frikësoni nga protestat. Protestoni! Shihini ato si mundësinë e parë për të manifestuar në publik pakenaqësitë tuaja dhe mos u trembni nga paragjykimet e pushtetit sepse ato do të jenë gjithnjë të pranishme. Pak rëndësi ka se cilës klasë shoqërore i takon, do të vijë kohë që nëse mirëqënia dhe drejtësia nuk është e përgjithshme, do të vijë koha kur ti nuk do të kesh mirëqënie dhe ti do të trajtohesh padrejtësisht. Ndaj secili duhet të angazhohet për mirëqënien e drejtësinë e përgjithshme”, tha Rron Gjinovci.

Top Channel