Rriten kërkesat për azil

01/04/2013 23:40

Çdo vit, në shërbimin social shtetëror paraqiten mbi 120 kërkesa për të përfituar nga shërbimet rezidenciale shtetërore, ku nuk mund të qëndrojnë të moshuarit me probleme shëndetësore.

Kërkesat janë të mëdha, ndërsa mundësitë, që ofrojnë gjashtë qendrat, janë të ulta. Kjo ka bërë që, në gjithë vendin të licensohen 10 qendra rezidenciale private, që ofrojnë shërbime për të moshuarit, gjashtë nga të cilat ndodhen në Tiranë.

“Kohët e fundit ka një rritje të madhe të kërkesave, që bëhen te ne. Më shumë se 120 në vit. Në rezidenca do vijnë të moshuarit dhe ne duhet të përgatitemi për të trajtuar ata, që janë ekstremisht në nevojë, por jo për të plotësuar tekat e familjes së sotme moderne, që kërkon t’i largojë të moshuarit nga shtëpia e vet dhe t’i çojë në institucione sociale. Të shkosh në një institucion privat, i cili mund të jetë edhe në formën e biznesit social, do të thotë që edhe duhet paguar për shërbimin që ofrohet atje”, tha Gëzim Tushi.

Kriza ekonomike, problemet në familjen e madhe dhe emigracioni po çojnë në braktisjen e të moshuarve, të cilët përbëjnë 9-10% të popullsisë shqiptare. Për të shmangur vuajtjet, por edhe qëndrimin në shtëpitë e moshimit, të gjithë njerëzit duhet të kursejnë parà, të paktën 10 vjet para se të dalin në pension.

“Për të gjithë ata, që janë 10 vjet para se të dalin në pension, të mendojnë për moshimin e tyre dhe të mendojnë seriozisht. Që do të thotë, të kursejnë, të garantojnë pjesën materiale të tyre, pasurinë që iu takon atyre, në mënyrë që të mos e ndajnë pasurinë me bijat e bijtë e tyre deri në fund, e pastaj të mbeten pa gjë vet dhe të braktisur. Çdo njeri, që do largohet nga kjo botë, duhet të mendojë se duhet të largohet duke pasur diçka edhe për moshimin apo pleqërinë e tij”, shtoi Tushi.

Shtëpitë e moshimit privat kontrollohen vetëm 2 herë në vit nga inspektoriati shtetëror dhe në to, tarifat janë disa herë më të shtrenjta se në shtet.

Shkarkohet drejtori i azilit
Dëboi nga shtëpia një të moshuar. Ministrja: Shkeli ligjin!

Drejtoresha e shërbimit social, Kozeta Mesiti, ka firmosur shkresën për pushimin nga puna të drejtorit të Qendrës për të Moshuar në Tiranë, Hysni Kuka, të cilin do t’ia dorëzojë ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale.

Ky vendim është marrë pasi drejtori i azilit, Hysni Kuka, ka përzënë nga shtëpia një të moshuar, Zeqir Gjonin, 76 vjeç, duke e dërguar atë me forcë, në orët e vona të natës, ditën e premte, në qendrën e Poliçanit.

Sipas proçedurave ligjore, drejtori i Qendrës së Shtëpisë së të Moshuarve ka thyer të gjitha rregullat, transferimi i të moshuarit është bërë pa dijeninë e institucionit përgjegjës për këtë kategori.

Top Channel