Merr peng të miturin për trafikim

31/03/2013 00:00

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Orgjocë në Komunen e Zapodit në rrethin e Kukësit. Një 19-vjeçar grabiti një fëmijë të mitur 8-vjeçar për qëllime trafikimi.

Përmes një deklarate për shtyp, policia e qytetit veri-lindor bëri të ditur arrestimin e 19-vjeçarit Begzin Isha, nën akuzën e rrëmbimit të të miturve me qëllim trafikimin.

Sipas të dhënave policore Isha e ka rrëmbyer 8-vjeçarin në qendër të fshatit, gjatë së premtes në mbrëmje. Policia e Kukësit arriti ta gjejë të miturin vetëm të shtunën në mbrëmje pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga informatorët e saj.

I riu 19-vjecar, Begzin Isha ka qëndruar për studime për një kohë të gjatë në Kosovë. Gjatë marrjes në pyetje në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, ai pranoi fajësinë e krimit të rëndë, por ende nuk është sqaruar se cili ishte destinacioni i synuar i këtij rrëmbimi.

Fëmija 8-vjeçar pasi ka kaluar 24 orë nën ndikimin  e dhunës psikologjike nga rrëmbyesi i tij ka shfaqur probleme të renda. Ai i rrëfeu policisë se rrëmbyesi e kishte kërcënuar me pistoletë se do ta vriste. Fëmija është dërguar për trajtim në qendren rajonale shëndetësore të Kukësit.

Ndërkohë pasi është njohur me ngjarjen e rëndë ka reaguar familja Mata, së cilës i ka humbur prej dy vitesh vajza e tyre Bleona Mata 9 vjeç. Dyshimet e hedhura për ndonjë trafikim të mundshëm fëmijësh nga ndonjë rrjet kosovar, ka rizgjuar shpresat e familjes Mata, për ndonjë të dhënë mbi fatin e vajzës tyre.

Rrëmbimi i fëmijës 8-vjeçar ndodhi në po të njëjtën zonë ku humbi dy vjet më parë Bleona Mata.

Top Channel