Jeta në shtëpinë e të moshuarve

30/03/2013 17:00

Emigracioni, papunësia, por edhe marrëdhëniet jo të mira mes prindërve detyrojnë të moshuarit gjithnjë e më shumë t’i shtyjnë vitet e fundit të jetës në azile.

Në një prej shtëpive të të moshuarve në Tiranë jetojnë 40 burra e gra. Një pjesë e tyre kanë muaj që nuk i takojnë fëmijët, edhe pse kanë shumë mall e dashuri për ta.

Amalia Perkaj është 84 vjeç dhe për të sot është një ditë e rëndësishme, pasi ka mundur që përmes Skype të lidhet me mbesën dhe nusen e djalit në Amerikë.

“Është një gëzim shumë i madh, sikur shoh një ëndërr. Më duket sikur i kam këtu”, thotë Perkaj.

Ajo nuk mund të  jetojë me ta, pasi nuk ka mundur të marrë vizë. “Kam dëshirë të shkoj në Amerikë, por s’kam vizë, ky është problemi”, shprehet Perkaj.

Vasilika Torozi, një grua 69-vjeçare, ka zgjedhur të jetojë në shtëpinë e të moshuarve para katër vitesh. Pas një jete të lodhshme dhe plot sfida të mëdha, ajo sot tregon se ka katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza që jetojnë jashtë.

“Kam katër kalamaj, dy vajza i kam jashtë ndërsa çunat këtu. Të më rrojnë sa malet. Por njëri nuk më flet. E kam zëmrën copë”, thotë Torozi.

Por mungesa e të ardhurave, papunësia, por edhe problemet mes nuseve dhe vjehrrave janë disa nga aryet që këtë grua e detyruan të marrë këtë vendim.

“Shita shtëpinë, hyra me qera, por thash me vete dhe fëmijëve se do iki në azil. Ik, më thanë ata”, tregon e moshuara.

Vasilika është e sëmurë dhe ditët i kalon me mikeshat e saj. Por edhe pse e vetme, ajo përpiqet të kursejë para për djalin e saj të vogël, i cili ka dy fëmijë dhe është i papunë.

“Kujdesem për djalin e vogël që vuan njëçikë, herë me punë herë me punë. I jap lekë. Unë nuk shijoj gjë, vetëm ia jap atij”, thotë Torozi.

Shtëpia e të moshuarve mbetet një ndër zgjidhjet e fundit për këta të moshuar, pasi në vitet e fundit të jetës janë gjendur të vetëm dhe pa mbështetje.

Tashmë në këtë moshë ata duhet të mësojnë edhe përdorimin e kompjuterave, si e vetmja mundësi për të komunikuar me fëmijët e tyre.

Top Channel