Reshjet mbysin bujqësinë

29/03/2013 00:00

Reshjet e shumta dhe përmbytjet duket se kanë ndikuar në rritjen e çmimeve për shumë  produkte bujqësore në treg. Konsumatorët ankohen  se po blejnë një kilogram sallatë jeshile  me 250 lekë si asnjëherë tjetër.

“Shumë janë ngritur. Sallata jeshile, domatet janë shumë lartë. Rrepat nga 700 lekë që kanë qenë, kanë vajtur 1800. Janë ngritur karrotat shumë, nga 500-600 që kemi marrë gjithë dimrin, kanë shkuar 1200”, thotë një konsumatore.

“Gjethe sallate mora me 2500 lekë. 3 tranguj 2000lekë, domatja 2000 lekë”, ankohet një tjetër konsumator.

Por  rritja e çmimeve ka revoltuar edhe vetë tregtarët të cilët ankohen se nuk kanë xhiro, por nga ana tjetër tregojnë se rritja e çmimeve për disa produkte i faturohet përmbytjeve dhe stinës së gjatë me reshje që ka vënë në vështirësi bujqësinë.

“3 mijë lekë kilja, 2800 lekë është marrë, për 200 lekë. Kungulli është marrë 1800 lekë, shitet 2000 lekë, as 200 lekë nuk fitojmë. Të gjitha cmimet janë skandal. Të marrësh spinaqin 1500 lekë me shumicë, kot asnjë lek nuk po fitojmë. Cmimet janë në tavan dhe nuk është faji ynë”, shprehet një tregtare.

“Sallata pothuajse është rritur me 50 përqind në krahasim me muajin shkurt-janar. 2600 lekë është sallata sepse nuk ka prodhim”, thotë një tjetër tregtare.

Këto çmime u referohen tregjeve të mëdha ku çmimet janë edhe më të lira pasi në supermarkete dhe dyqane të lagjeve çmimet pësojnë edhe një rritje tjetër.

Sipas tregtarëve çmimet e larta të produketeve bujqësore duket se do të na shoqërojnë gjatë pasi  moti me reshje të shumta ka penguar fermerët të bëjnë mbjelljet e stinës në fushë, ndërsa prodhimet serrave nuk përballojnë dot kërkesën e tregut.

Top Channel