Lirohet babai i Saimir Tahirit

28/03/2013 00:00

Operacioni policor i arrestimit të Bashkim Tahirit, babai i deputetit socialist Saimir Tahiri dhe shtetasit tjetër Dritan Gjiza, u mbyll me lirimin e tyre nga gjykata nën masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje” për Tahirin, për akuzën e tregtimit të barnave kontrabandë dhe “arrest shtëpie” për të pandehurin tjetër.

Para gjykatës u zbardh po ashtu gjithë skema që polcia e deklaroi si një histori kontrabande prej 10 mijë eurosh, por që prokuroria në akuzën e saj  theksoi se hetimet për tregtimin e ilaçeve pa pullë fiskale kapin vlerën e 90 mijë lekëve.

Para dhënies së vendimit avokati mbrojtës i evidentoi gjyqtarit shkeljet, sipas tij, të kryera nga policia dhe mungesën e provave.

Sipas mbrojtjes, prokuroria nuk kishte dijeni për këtë hetim të nisur, sipas versionit të policisë, prej 3 muajsh, ndërkohë që arrestimin e deklaroi për publikun 30 minuta përpara se ta firmoste në dokumentacion.

Një arrestim ky, që sipas avokatit nuk plotësonte kushtet juridike të flagrancës. Kryesisht mbi këto argumenta avokati Plarent Ndreca e konsideroi të paligjshëm arrestimin.

“Deklarimet mund të bëjnë provë në kuptimin e proçedurës penale. Ato shoqërohen me prova që nuk ishin në dosjen e prokurorisë. Gjithashtu, nuk rezulton një hetim prej tre muajsh kur prokuroria nuk ka asnjë dijeni për këtë çështje dhe nuk ka asnjë autorizim nga prokurori për arrestime”, deklaroi avokati Ndreca.

Por ndërsa avokati këmbënguli se ende nuk ka një aktekspertizë nëse mallrat e bllokuara janë vërtet ilaçe apo jo, prokurori vuri në dijeni gjykatën se hetimet kanë nisur me iniciativën e policisë, pas vëzhgimit të Dritan Gjizës, i dyshuar se kontrabandonte medikamente nga Italia.

Policia njoftoi të hënën arrestimin e 3 personave, mes të cilëve edhe babain e deputetit Tahiri, me akuzën e kontrabandës së ilaçeve. Drejtoria e uniformave blu të kryeqytetit tha se, ata u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamente me vlerën e 10 mijë eurove.

Tahiri: S’përulemi para sulmeve mafioze

Deputeti i PS, Saimir Tahiri ka dalë paraditen e të mërkurës në deklaratë për shtyp, pak orë pasi gjykata e Tiranës vendosi masën “detyrim paraqitjeje” për babain e tij.

Gjatë fjalës së tij, Tahiri ka deklaruar se vendimi i gjykatës tregon se arrestimi i të atit ka qenë një sulm mafioz i motivuar politikisht nga kryeministri Sali Berisha.

“I qëndroj pranë familjes time në këto momente të vështira. Mbështes zbardhjen e së vërtetës në mënyrë të padiskutueshme. Por i bëj të qartë Berishës se unë dhe PS jemi të gatshëm të përballemi me pushtetin mafioz të tij, të korruptuar në cdo qelizë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai është shprehur se ky sulm ndaj familjes së tij e nxit atë që të denoncojë gjithnjë e më shumë aferat korruptive të kryeministrit dhe njerëzve të tij të afërt, të cilët pas 23 qershorit do të japin llogari.

“Berisha të mos e çojë nëpërmend se do përkulemi unë, familja ime, kolegët e mi para tij. Berishës po i vjen dita të japë llogari për pushtetin e tij mafioz, për familjen e tij më të korruptuar. Të japë llogari për Argitën, Shkëlzenin, ish-badigardin e tij, sot drejtues i kupolës mafioze të policisë, ministrat Majlinda Bregu për lidhjet me Prudentinon dhe Genc Rulit për mafien e minerareve”, ka theksuar Tahiri.

Në emër të PS, ai ka premtuar se pas 23 qershorit për sistemin e drejtësisë në vend do të hapet një kapitull i ri, ku të gjithë qytetarët, përfshirë politikanët, do të jenë të barabartë para ligjit.

“Më 23 qershor PS do hapë një kapitull të ri për vendin dhe qytetarët, për t’i dhënë liri drejtësisë dhe barazisë para ligjit”, ka shtuar më tej Tahiri.

Top Channel