“Do të ndërtojmë korridorin Veri-Jug”

28/03/2013 00:00

Infrastruktura e  turizmi, si shtyllat kryesore të programit për një Rilindje Shqiptare janë trajtuar gjerësisht në konferencën e zhvilluar paraditen e së enjtes nga Partia Socialiste në qytetin e Vlorës.

Drejtuesit e PS i prezantuan qytetarëve vlonjatë vizionin dhe projektin e kësaj partie për të ndryshuar situatën në infrastrukturën e vendit.

Edi Rama u angazhua për ndërtimin e korridorit Veri-Jug dhe një tjetër korridori në bregdet.

“Duam të ndërtojmë rishtaz një korridor të kaltër, atë Veri-Jug, i cili do të krijonte kushtet për një zhvillim të madhe ekonomik dhe social të vendit”, tha Rama.

Masterplani rrugor kombëtar u shpreh Rama, që është në programin e socialistëve është mbështetur në tre shtylla.

“E para masterplani kombëtar, e dyta përcaktimi i qartë se ne nuk do të ndërtojmë më asnjë kilometër rrugë pa standarde, e treta fokusi do të jetë tek siguria rrugore. Në fund të mandatit tonë duam që rrjeti kombëtar bazë të mos ketë më asnjë gropë dhe asgjë që e pengon të jetë një program normal”, shtoi Rama.

Ndërsa për Vlorën Edi Rama nga programi i PS u zotua në ndërtimin e shëtitores bregdetare të qytetit dhe  ndërtimin e rrugës së Labërisë.

Top Channel