Arvizu: Zgjedhjet, përgjegjësi e qeverisë

28/03/2013 00:00

SHBA nuk do të kursehen së ndihmuari Shqipërinë në zhvillimin e zgjedhjeve, por përgjegjësia e suksesit të tyre piksëpari qëndron mbi qeverinë e më pas forcat politike dhe tek të gjithë aktorët pjesmarrës në to.

Ky ishte mesazhi që përcolli ambasadori Alexander Arvizu gjatë prezantimit të një pakete asistence me vlerë mbi 1 milion dollarë në kuadër të mbështetjes amerikane për zgjedhjet e qershorit.

Që në fillim ambasadori Arvizu evidentoi përgjegjësinë primare të qeverisë shqiptare në garantimin e realizimit të këtyre zgjedhjeve me standarte demokratike.

“Qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje që të jenë transparente, në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor e ligjet e tjera. Ajo është zotuar që do t’i bëjë zgjedhjet parlamentare të qershjorit më të lira dhe më të ndershme në historinë e Shqipërisë. I nxisim ata ta përmbushin këtë qëllim fisnik, pasi kjo është e arritshme. Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me delegacionin më të madh të mundshëm për misionin e vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE-ODIHR-it, që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të angazhimit të SHBA-ve ndaj asistencës së përgjithshme ndërkombëtare”, deklaroi Arvizu.

Ambasadori amerikan foli edhe për rëndësinë që merr liria e medias dhe mos ushtrimi i presioneve prej askujt në pasqyrimin e fushatës elektorale, ditën e zgjedhjeve dhe më pas.

“Përfaqësimi me përgjegjësi i medias është një element kyç në çdo demokraci funksionale. Media duhet të jetë e lirë nga çdo trysni apo ndikime të padrejta”, theksoi Arvizu.

Nga kjo mbështetje amerikane do të përfitojnë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ekipet monitoruese vendore, debatet parazgjedhore, mbështetja për shoqërinë civile dhe monitorimi i periudhës paszgjedhore.

Ambasadori Arvizu anunçoi edhe zhvillimin e 3 debateve televizive parazgjedhore me pjesëmarrjen e tre forumeve rinore nga 3 partitë politike.

Kryetarja e KQZ-së, Lefrerie Lleshi, e ftuar në këtë aktivitet, tha se subjektet politike janë duke ushtruar presion mbi institucionin që ajo drejton dhe se përgjegjësia është e përbashkët, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme.

Ndërsa nënkryetari Denar Biba u shpreh se antarët e KQZ-së janë misionarë të një misioni të jashtëzakonshëm, duke kërkuar që KQZ të ndihmohet jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe pas tyre.

Top Channel