Shoqata e Ish të Përndjekurve Politikë organizoi një seminar ku merrnin pjesë edhe diplomatë të huaj, nga ku u prezantua një projekt-ligj i cili do t’i sugjerohet parlamentit për të përmirësuar situatën e tyre ekonomiko-sociale.

Bilal Kola, avokat i kësaj shoqate tha se që nga viti 1991 deri në 2011-ën hartohen dhe amendohen ligje për këtë shtresë, të cilat mbeten virtuale, pasi askush nuk i zbaton. Pavarsisht ftesës përfaqësues të PD munguan në këtë seminar, ndërkohë pjesëmarrës ishin vetëm përfaqësues të PS-së, FRD-së dhe AK-së.

Keti Bazhdari kryetare e grupit të punës në PS për programin e ish të përndjekurve politikë, u shpreh se për Partinë Socialiste ish të përndjekurit politikë nuk janë një grumbull votash, por një kauzë e drejtë për t’u fituar, një padrejtësi që pret drejtësinë, një plagë e hapur shoqërore që pret shërimin.

“Programi i Partisë Socialiste për ish të përndjekurit politikë i hartuar përgjatë një viti në këshillim intensive me grupet e interesit shtrihet në tre rrafshe kryesore, atë ekonomik, moral dhe social.Skema jonë e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zbatojë një shpërblim prioritar në varësi të moshës ku:Në vitin e parë të qeverisjes socialiste do të dëmshpërblehen të gjithë ish të burgosurit, gra mbi 70 vjec, burra mbi 75 vjec. Brenda 2 viteve në vijim, do te dëmshpërblehet pjesa tjetër e ish të burgosurve politikë.Ndërsa në dy vitet e tjera, do të vijojë dëmshpërblimi i trashgimtarëve të të pushkatuarve dhe ish të burgosurve politikë”, deklaroi Bazhdari.

Top Channel