Opozita: KKRT e varur politikisht

27/03/2013 00:00

Sulmi i fundit i qeverisë dhe shkelja e njëanëshme e kontratës me televizionin Top Channel është ngritur si çështje edhe në Kuvend në raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, përpara deputetëve të Komisionit të Medias.

Deputeti Alfred Dalipi ka theksuar se në rastin e shkeljes së kontratës së televizionit kombëtar Top Channel, KKRT ka mbajtur qendrim të njëanshëm duke u bërë palë me qeverinë.

“Rasti i cënimit të mundësive dhe kapacitetve të operatorit kombëtar Top Channel, ishte një rast që KKRT, që ka dokumentacionin për logjistikën dhe gjithcka disponon ky operator, ishte një mundësi për të reaguar në raport me qeverinë për ruajtjen e pavarësisë si një autoritet që rrjedh nga Kuvendi dhe nuk varet nga qeveria”, deklaroi deputeti socialist, Alfred Dalipi.

Edhe kryetarja e Komisionit të Medias Valentina Leskaj, në fjalën e saj tha se i gjithë raporti dëshmon për një dështim të vazhdueshëm të KKRT-së sa i përket njëanshmërisë politike, çështjes së reklamës shtetërore dhe diskriminimit të televizioneve në çeshtje dhe mosrespektimit të të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve.

“Është dështuar me cështjen e reklamave, me privatësinë, me të drejtat e njeriut dhe fëmijëve dhe gjithë këto dështime ju nuk mund t’ia faturoni dy argumentave që ju thatë këtu; ligjit dhe vakumësisë”, deklaroi kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj.

Nënkryetari i Komisionit, Mark Marku tha se KKRT duhet të forcojë pozitën e saj, gjatë zgjedhjeve dhe kërkoi nga opozita të mos bojkotojë plotësimin e KKRT-së.

Mark Marku, deputet PD: Roli duhet të forcohet sidomos tani që jemi në momentin e zgjedhjeve. Ju nuk keni dërguar përfaqësuesit tuaj në KKRT duke e lënë një vendimmarrje gjysmake. Mospjesëmarrja juaj ka qenë një mundësi, një shkak për të rrënuar vendimet e KKRT-së.

Valentina Leskaj, deputete PS: Kjo nuk u jep të drejtën të shkelin ligjin, nuk u jep të drejtën të jenë të politizuar, nuk u jep të drejtën për t’u sjellë me operatorët sikur qenë ca të nënë, ca të njerkës.

Në raportin vjetor të vitit 2012, të paraqitur para Komisionit të Medias, kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati tha se është rritur pirateria televizive, mospagesa e detyrimeve vjetore ndaj KKRT-së dhe problemet e tjera me monitorimin e gjithë operatorëve.

Edhe pse janë vendosur 21 milion lekë gjoba kundrejt operatorëve, janë mbledhur vetëm 2.5 milion lekë në mënyrë vullnetare, pasi sipas kryetares së KKRT, Drejtoria e Tatimeve nuk bashkëpunon.

Top Channel