Në seancën e të enjtes Kuvendi i Shqipërisë do të votojë propozimin e qeverisë për heqjen e tatimit mbi të ardhurat për rrogat deri në 30.000 lekë. Partia Socialiste nëpërmjet deputetes Mimi Kodheli thotë se ky  propozim i maxhorancës kopjon në mënyrë gjysmake propozimin e Partisë Socialiste për vendosjen e një taksimi të ndershëm i cili sipas socialstëve, bazohet në parimin se “kush fiton më shumë paguan më shumë, e kush fiton më pak paguan më pak”.

Deputetja Kodheli deklaroi se falë propozimit të PS për taksim të ndershëm, 95 % e shqiptarëve do të paguajnë më pak.

“Një infermiere, falë propozimit tonë do të marrë në fund të vitit plot 378 mijë lekë më tepër, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 rroga në vit, por 13 rroga e gjysmë në vit, pra një rrogë e gjysmë më shumë në vit. Një polic i thjeshtë falë propozimit do marrë në fund të vitit 408 mijë lekë më shumë, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 paga në vit por 13 paga e gjysmë në vit, pra një rrogë e gjysmë më shumë në vit. Një mësues falë propozimit tonë do të marrë në fund të vitit 507 mijë lekë më shumë, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 rroga në vit, por 13 paga e gjysmë, pra një rrogë e gjysmë më shumë në fund të vitit. Një mjek falë propozimit tonë do të marrë në fund të vitit do të marrë 536 mijë lekë më shumë, pra nuk do të marrë më 12 paga në vit por 13 paga në vit, pra një pagë më shumë në fund të vitit”, tha Kodheli.

Kodheli bëri publike edhe shifrën sa taksa do të paguajë Edi Rama, sot lider i opozitës nesër kryeministër.

“Ndërkohë siç jemi angazhuar, kryeministri, deputetët dhe ministrat do të paguajnë më shumë taksa se paguajnë sot, në ndryshim nga 95% e shqiptarëve që do të paguajnë më pak dhe do të fitojnë më shumë. Pas 23 qershorit Edi Rama kryeministër do të paguajë 2 milionë lekë taksa më shumë çdo vit, se sa paguan sot Sali Berisha”, deklaroi deputetja socialiste.

Partia Socialiste e ftoi kryeministrin  Sali Berisha  dhe maxhorancën ta mbështesin propozimin e opozitës , pasi prej tij do të përfitonin pjesa dërrmuese e shqiptarëve. Por pavarësisht vendimit që do të marrë shumica ditën e enjte nënvizoi zonja KodhelI, pas 23 qershorit taksa e sheshtë e Saliut premtoi ajo do të zëvendësohet.

Top Channel