Rama: Si do zgjidhim “legalizimet”

26/03/2013 17:15

Kreu i Partisë Socialiste e filloi fjalën e tij, në prezantimin e projektit për legalizimet, nga fakti se këtë pikë demokratët e kanë patur në programin, me të cilin erdhën në pushtet në vitin 2005, dhe që duhet, të paktën nëse i referoheshe këtij programi, siç tha zoti Rama, ta realizonin brenda vitit 2006.

“Nga 2005 deri më sot ka legalizuar më pak se 5% të gjithë ndërtimeve pa leje. Që këta ta mbarojnë procesin, në radhë të parë qytetarët e Bathores, se aty e kanë marrë mbështetjen më të madhe, duhet të presin 160 vjet. Me siguri, në mos ka ardhur, do vijë këto ditë e do ju thotë ‘me vrap tani se është kohë legalizimesh’. Pse? Se sa herë që ka një fushatë elektorale, ka një stil legalizimi, por pikërisht sapo mbaron votimi, mbaron edhe legalizimi pa legalizuar asgjë”, u shpreh Rama.

Zoti Rama theksoi se thelbi i të gjithë këtij procesi është kthimi i këtyre banesave, sic tha ai, në asete të kapitalizueshme, që t’u japin mundësinë pronarëve të tyre të marrin kredi, duke i kthyer nga kapitale të vdekura, në kapitale që sjellin përfitime të tjera.

Për zotin Rama, ky është një mashtrim i dyfishtë, ku përfshihen edhe pronarët. Duke kaluar te pikat, që PS do të realizojë, zoti Rama tha se pika e parë do të jetë realizimi i një procesi të përbashkët legalizimi dhe regjistrimi të pronave.

“Duke zgjidhur çështjen e pronësisë dhe zgjidhur çështjen e pronësisë mbi tokën, nga njëra anë, dhe mbi ndërtimet që janë për legalizim, nga ana tjetër, ne do të zhbllokojmë pasuritë e këtij vendi. Është një pasuri e madhe, ajo që është ndërtuar, e cila i është kthyer në gur në qafë këtij vendi. Atëherë, neve ose do ta lëmë që të vazhdojë të rrisi gurë në qafë dhe t’i marri frymën këtij vendi, ose do e kthejmë në një pasuri, nga e cila do të përfitojnë të gjithë ata që e kanë ndërtuar, por të përfitojë drejtpërdrejt edhe vendi, edhe ekonomia kombëtare”, shtoi më tej Rama.

Një paralajmërim i qartë ishte ai, që zoti Rama bëri për ata që i quajti zaptues të pasurisë së këtij vendi, duke futur në këtë rresht të gjithe ata, që fshihen pas pushtetit, për të ngritur ndërtime pa leje.

“Kush mendon se mund të hedhë kate pas katesh, duke u fshehur pas pushtetarëve të sotëm, është i paralajmëruar se pas 23 qershorit mund t’i shohë të gjitha ato kate, dhe këtu nuk flas për ato kate për të strehuar familjet e tyre, por për ata që ndërtojnë kate në zemrën e kryeqytetit, në zemrën e atdheut që është bregdeti, do t’i shohë ato kate të rrafshuara për tokë. Mos çuditen për këtë”, përfundoi Rama.

Top Channel