Rama: Të papunë e të pashpresë

24/03/2013 00:00

Shifrat alarmante të papunësisë kanë qenë në themel të fjalës së kryesocialistit Rama në takimin që ka patur në qytetin e Gramshit. Sipas tij, sot Shqipëria numëron 1 milionë të papunë, të cilët, sipas zotit Rama, enden sot rrugëve pa shpresë e pa mbështetje.

“Qeveria premtoi 160 mijë vende të reja pune, por vetë Instituti i Statistikave që varet nga kryeministri tregon që kanë humbur punën 51 mijë shqiptarë. Kur Saliu premton diçka, aty duhet të ruhen shqiptarët sepse do e kenë edhe më keq seç e kanë”, theksoi Edi Rama.

Si rrjedhojë, sipas kryesocialistit, shqiptarët janë lënë në mëshirë të fatit: “Kush është i papunë, është edhe i pasiguruar. Për këtë arsye, po u sëmur, e ka keq punën. Për qeverinë, kujdesi shëndetësor është mall që blihet. Nëse nuk ke lekë, vdes. Ne do ta heqim skemën e sigurimeve shëndetësore. Shërbimi shëndetësor do të blihet nga shteti dhe do u jepet falas atij që ka nevojë.”

Zoti Rama tha se do të jetë pas 23 qershorit mbrojtësi më i flaktë i të drejtave të shqiptarëve, të cilët, sipas tij, do të kërkojnë të jetojnë në vendin e tyre me punë të ndershme e prodhuese.

“Personalisht, bashkë me strukturat, do të bëj gjithçka që kam në dorë që të mos mbetet asnjë kilogramë prodhim pa u shitur”, përfundoi Rama.

Top Channel