Berisha: Investime të mëdha në turizëm

24/03/2013 00:00

Në programin për një mandat tjetër qeverisës, kryeministri Sali Berisha thotë se parashikohet rritje e ndjeshme e punësimit në degën e turizimit, e cila sipas tij punëson aktualisht rreth 150 mijë persona.

Në takimin me operatorët turistikë të vendit, kryeministri thotë se për katër vitet e ardhshme parashikohet një rritje prej rreth 45 mijë të punësuarish më shumë: “Turizmi është degë kryesore e ekonomisë dhe me potencialin më të madh të punësimit. Për ne, punësimi ka rëndësi të jashtëzakonshme.”

Në këtë takim, kryeministri Berisha pranoi kërkesën e tyre për uljen e TVSH-së mbi disa shërbime turistike, përfshirë hotelet, pasi përvoja e vendeve të rajonit tregon për një “bum” turistik duke i bërë shërbimet dhe paketat më të lira për turistët: “Jam dakord dhe do të nisin diskutimet për ta ulur në nivelin minimal.”

Sali Berisha pohoi se shumë shpejt do të miratohet edhe një ligj tjetër që përjashton nga çdo taksë për 7 vjet të gjithë ata që investojnë në turizmin malor. Kryeministri garantoi operatorët turistikë dhe bizneset në tërësi për ruajtjen e politikës së taksave të ulëta: “Jemi dhe do të mbetemi qeverisje e taksave të ulta. Besojmë se paraja tek biznesi është më i vlefshëm për Shqipërinë sesa paraja në arkën e shtetit.”

Nga takimi me shoqatat dhe operatorët turistikë, erdhi edhe një propozim i veçantë, sipas të cilit të shikohet mundësia që zgjedhjet të mos zhvillohen në sezonin turistik, pasi ul numrin e turistëve. Për kryeministrin Berisha kjo është një ide racionale që nuk mund të realizohet për këto zgjedhje, por ai premtoi se do të jetë një promovues për të ndryshuar periudhat zgjedhore në mars ose tetor.

Top Channel