AK: Berisha të shkojë në burg

24/03/2013 00:00

Aleanca Kuqezi mblodhi në Pallatin e Kongreseve aktivin për Tiranën. Kryetari Kreshnik Spahiu e përqendroi fjalimin e tij në akuzat ndaj kryeministrit Berisha, i cili, sipas Spahiut, e ka rrënuar Shqipërinë dhe meriton të përfundojë në burg.

“Nuk mund të ndërtohet shteti ligjor nëse përgjegjësi kryesor për tragjedinë e Gërdecit, të vrarët e 21 Janarit dhe shitjen e pjesshme të Shqipërisë, shtetasi Berisha, nuk vihet në pranga dhe dënohet me burgim të përjetshëm”, theksoi Spahiu.

Ai shtoi se Aleanca Kuqezi do t’i japë një tjetër dimension politikës shqiptare: “Ekonomia ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse në mënyrë që duke shfrytëzuar burimet kombëtare të arrijmë punësimin dhe mirëqenien. Ne vijmë me një paketë ndryshimesh kushtetuese në mënyrë që vendi të rikthehet në normalitet përmes funksionimit të institucioneve.”

Në përfundim të punimeve, pjesëmarrësit e aktivit zgjodhën si kryetar të Aleancës Kuqezi për Tiranën gazetarin Rezar Balla.

Top Channel