Topi-qytetarëve: Verifikoni listat

20/03/2013 19:30

Në një takim me qytetarë të Rrogozhinës, kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë listat në qendrat e votimit, për të shmangur manipulimet në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Historia e listave është një nga ato skenare që përsëriten për deformimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Verifikoni emrin tuaj dhe të njerëzve tuaj, orientohuni pasi 23 qershori është shumë afër”, deklaroi Topi.

Për kryetarin e Fryms së Re Demokratike, 23 qershori do të jetë fundi i politikës së vjetër dhe e qeverisjes, që siç shprehet ai, ka marrë tiparet e një diktature.

“Sot ai dikton në të njëjtën mënyrë si diktatorët komunistë, por është bërë dhe kapitalist pasi ka prona pafund. Monopolet e mbështetura nga qeveria bëjnë ligjin në Shqipëri. Ky pushtet ka ditën e kapitullimit dhe të verdiktit të njerëzve të thjeshtë, të cilëve u premtoi shumë dhe i harroi”, u shpreh Topi.

Pak ditë më parë, kryetari i Frymës së Re Demokratike drejtoi një takim të simpatizantëve të kesaj partie në qytetin e Vlorës.

Në fjalën e tij, ai akuzoi dy partitë e mëdha, Partinë Demokratike dhe  Partinë Socialiste dhe klanet mediatike të tyre, që në analizat politike për zgjedhjet e këtij viti bëjnë parashikime duke u bazuar në situatën e vitit 2009.

“Unë sot akuzoj politikën, politikën e partive të vjetra. Akuzoj të gjithë ata që dalin sot në media, bëjnë parashikimet e vitit 2013, mbi bazën e situatës së 2009-s. Do të thotë kjo se në mënyrë shumë artificiale, ata nuk marrin parasysh lindjen e formacioneve të reja politike. Unë jam i bindur që jeta politike në Shqipëri do të jetë shumë dinamike. 23 qershori, do të sjellë në jetën politike institucionale, përfaqësuesit e rëndësishëm të Frymës së Re Demokratike”, deklaroi ish-presidenti.

Top Channel