Punësimi, përsëriten premtimet e 2009

20/03/2013 20:00

Në qershor të vitit 2009, kur beteja elektorale kishte hyrë në fazën më kulmore, një nga kartat më të forta të partive ishte premtimi për krijimin e qindra mijëra vendeve të reja të punës.

“Do hapim 160 mijë vende të reja pune. Ata që besojnë tek ne nuk do të zhgënjehen kurrë”, deklaronte kryeministri Berisha rreth 4 vjet më parë.

Në atë kohë qeveria, që kërkonte mandatin e dytë, publikoi edhe planin se si do t’i krijonte 160 mijë vende pune, duke i mbështetur llogaritë tek investimet private, kryesisht në energjetikë.

“Në katër vitet e ardhshme do ndërtohen rreth 136 HEC-e, që do të gjenerojnë rreth 50 mijë vende pune. Do ndërtohen shtatë parqe elektrike, nga të cilat do të krijohen 80 mijë vende pune, plus politikat probiznes që do të sjellin mijëra vende të tjera”, deklaroi atëherë zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo.

Qeveria u rikonfirmua në pushtet. Por 4 vjet më pas të dhënat zyrtare tregojnë se premtimet për punësimin kanë lënë pas një tjetër realitet.

Nga 2009-a numri i të punësuarve në total është rritur me vetëm 28 mijë vetë, 6 herë më pak se premtimi elektoral i kryeministrit.

Përballë realitetit të zymtë të shifrave, tani që fushata po afron sërish, qeveria po riaktivizon të njëjtat premtime për punësimin ashtu si në vitin 2009.

“Vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi ne parashikojmë të dyfishojmë në 4 vitet që vijnë numrin e të punësuarve. Pra, jo 15 mijë, por të jenë së paku 30 mijë qytetarë në ndërtimin e HEC-eve, TAP-it, etj”, dekalroi Berisha së fundmi.

Kriza ekonomike ka qenë ndoshta një pengesë e fortë. Por përtej shkaqeve, papunësia mbetet një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë.

Edhe pse vendi me moshën më të re të popullsisë, Shqipëria, ka sot normën më të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës, nën 43 për qind.

Kjo do të thotë se në 2.3 shqiptarë me moshë pune nga 15 në 64 vjeç, vetëm njëri ka një punë, një realitet që edhe pse zbutet nga deformimet që prodhon formula e papunësisë është gati tragjik.

Në 20 vjet ekonomi tregu, politika dhe qeveritë kanë prodhuar më shumë premtime elektorale se sa vende të reja pune.

Ndërkohë që papunësia masive, përveçse krijon një dëm të pallogaritshëm për ekonominë, përmes prodhimit të munguar dhe rritjes së pabarazisë, shkatërron mundësitë e qindra mijëra qytetarëve për të patur një jetë normale.

Jo më kot, sot ekonomitë e zhvilluara të Perëndimit e konsiderojnë papunësinë dramë kombëtare, edhe pse e kanë këtë tregues shumë më të ulët se Shqipëria.

Berisha: Prioritet punësimi i të rinjve

Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë pasditen e së mërkurës në një aktivitetit për aftësimin e të rinjve për punë. Në fjalën e tij Berisha ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm kontributin e të rinjve në tregun e punës dhe u ka kërkuar atyre një angazhim më të madh.

“Ju të rinjtë i dhuruat vendit një risi të madhe. Pa guxim s’ka iniciativë të lirë. Duhet angazhim i të rinjve në sipërmarrjen e lirë. Qeveria është e angazhuar për punësimin e të rinjve”, ka deklaruar Berisha.

Më tej kryeministri ka falenderuar Fondin Shqiptaro-Amerikan për kontributin e dhënë në këtë fushë, për një edukim sa më të mirë të të rinjve shqiptarë.

Top Channel