Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar me drejtues dhe punonjës të një biznesi fason në kryeqytet. Megjithëse kemi investuar prej 20 vjetësh të gjitha kursimet, nuk kemi pasur rritje të këtij biznesi, thanë drejtuesit e tij.

Ata i argumentuan kryetarit të opozitës se, pasi nuk kanë mundësi financiare që të kompletojnë të gjithë ciklin e prodhimit, që nga marrja e lëndës së parë e deri te kryerja e të gjitha proçeseve të prodhimit. “Ne duam të kemi mundësi për të bërë një cikël të mbyllur të prodhimit”, u ankua drejtuesja e një biznesi.

Kryetari i PS tha se opozita më shumë se një vit më parë ka propozuar heqjen e TVSH-së së makinerive, por edhe tani që qeveria e miratoi ai nuk është bërë ende funksional. Rama premtoi një marrëdhenie të re qeveri-fasonë.

“Me sektorin tuaj ne duam të bëjmë një marrëveshje. Shteti ka interes të rrisë punësimin, ne kemi interes ta bëjmë këtë, ndërsa ju të zhvilloni sektorin. Për këtë ju duhet mbështetje financiare dhe kjo mbështetje duhet të koordinohet mes interesave tona dhe tuajat”, deklaroi Rama.

Kreu i opozitës tha gjithashtu se qeverisja socialiste nga ndihma ekonomike pasive që është kthyer në korruptive dhe nuk shkon aty ku është nevoja, të kalohet në ndihmen ekonomike aktive, duke i punësuar njerëzit me ndihmë ekonomike përmes mbështetjes së bizneseve dhe marrëdhenies së re të drejtë që do të krijojë me to.

Top Channel