Berisha prezanton programin e PD-së

18/03/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur orët e vona të së dielës për të prezantuar shtyllat e programit qeverisës të katër viteve të ardhshme, ku premtimi parësor i demokratëve në këtë fushatë do të jetë punësimi.

Kryeministri  lançoi një sërë projektesh madhore përmes të cilave do të bëhet i mundur ky objektiv, duke nisur nga ato energjitike e deri tek turizmi: “Janë katër projekte të mëdha energjitike që do të jenë të barabarta me investimet e katër viteve të kaluara. Vetëm në energjitikë janë të paktën 150 projekte të tjera. Do të kontraktojmë në katër vitet e ardhshme kompani që do të bëjnë të mundur hartimin e projekteve madhore në energji dhe turizëm.”

Kreu i qeverisë tha se reformat fiskale dhe heqja e barrierave buroktratike për biznesin do të jenë në themel të programit të demokratëve për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin. Por, kryeministri nuk detajoi në shifra konkrete sa është synimi i demokratëve për punësimin, përkrah premtimit të opozitës për 300 mijë vende të reja pune.

“Është e vështirë për shkak të lëvizjes migratore dhe grupmoshave të reja të bëhet kjo llogari, por e sigurtë është që paketa e re e reformave do të ketë rritje ekonomike dhe të punësimit”, theksoi kryeministri.
 
Kreu i qeverisë konsideroi të papranueshme mungesën e të drejtës së diasporës për të votuar, duke premtuar se çështja e shtetësisë për të do të zgjidhet shpejt.

Ndërsa për skandalin me ambasadën shqiptare në SHBA, që rrezikon mbylljen për mungesë fondesh, zbuluar përmes një letre të ambasadorit që Top Channel publikoi, kreu i qeverisë tha se çështja po ndiqet mes dy ministrive, asaj të financave dhe të jashtme: “Unë pres rezultatet e këtij hetimi të përbashkët.”

Kryeministri sulmoi edhe prezantimin e kandidatëve për deputetë nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pa mbledhur asnjë forum, siç tha ai: “Nuk është demokratik ky proces. Ajo që po ndodh është se po zhbëhet lista.”

Duke sulmuar opozitën për premtimet mbi infrastrukturën, Berisha premtoi ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe tha se ka nisur tenderimi për rrugën Lushnje-Berat. Duke shigjetuar edhe programin e opozitës për sportin, Berisha premtoi terrene sportive në të gjithë Shqipërinë.

Rama përgjigjet në Twitter

Por, kryetari i opozitës Edi Rama ka ironizuar premtimet e kreut të qeverisë për rritjen e punësimit.

Menjëherë pas konferencës për shtyp të kryeministrit Berisha, Rama deklaroi në profilin e tij në Twitter se përse nuk i rriti vendet e punës në këto katër vite, por në të kundërt, tha ai, Berisha humbi mijëra të tilla.

“Do rrisi punësimin? Po pse humbi 51 mijë vende në 3 vjet sipas vetë INSTAT-it? Koha për tu larguar e rilindur në opozitë”, shkruan kryetari i PS-së, Edi Rama.

Top Channel