Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, akuzoi politikën e vjtër se po shkatërron sportin dhe ekipet elitare të futbollit.

“Politika gjithnjë e më shumë po penetron dhe po shkatërron edhe ato ekipe që sot janë praktikisht në gjendje të mjeruar, kam parasysh ekipin tim të zemrës të Tiranës, por edhe ekipin e Partizanit, që sot janë në vështirësi të jashtëzakonshme. Ne dëshirojmë që të rikthejmë traditën e sportit, nuk mendoj se sporti sot mund të jetë një shtojcë e politikës, për ta përdorur për situata elektorale”, u shpreh Topi.

Duke iu referuar në mënyrë të veçantë “Sport Klub Tiranës”, zoti Topi akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqet t’i heqë identitetin e fundit kryeqytetit.

“Kreu i ekzekutivit kërkon që t’i heqë Tiranës identitetin e fundit që lidhet me historinë e këtij qyteti, që është pikërisht Sport Klub Tirana. Një njeri që nuk besoj t’i ketë rëndë ndonjëherë topit me këmbë, por shumë i aftë për të shkelmuar dhe për të shkallmuar gjithçka me këmbë”, shtoi Topi.

Këto deklarata, kryetari i Frymës së re Demokratike i bëri gjatë një aktiviteti të organizuar nga rinia e FRD-së, në formën e një kampionati minifutbolli mes njësive, komunave dhe universiteteve të kryeqytetit.

Top Channel