Marrëveshje Shqipëri – Kosovë

15/03/2013 00:00

Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nënshkruan të parin protokoll
bashkëpunimi, përmes ministrave të Jashtëm Edmond Panariti dhe Enver
Hoxhaj, gjatë një vizite të këtij të fundit në Tiranë. Protokolli
përfshin bashkëpunim në të gjitha fushat mes dy shteteve shqiptare.

Pas nënshkrimit të dy shefat e diplomacisë, ai shqiptar dhe ai kosovar përveç se vlerësuan intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve shqiptare dhe u ndalën te bisedimet e fundit Serbi – Kosovë. Panariti tha se Tirana mbështet bisedimet, por është kundër çdo opsioni për ndarje territoriale.

Lidhur me vizitën e shumëpërfolur të tij në Serbi, për të cilën u bë e ditur pak kohë më parë shtyrja e saj për shkak te tensionimit te situates ne Luginen e Presheves, Panariti sqaroi: “Që vizita në Beograd të ndodhë, ajo duhet të ketë substancë. Unë këtë e kam edhe publikisht të njohur që vizita në Beograd do të ndodhë vetëm nëse të dy palët do të jenë të gatshme për të nënshkruar marrëveshje,duke nisur që nga marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave dhe marrëveshje të tjera, në kuadrin e 14 projekt-marrëveshjeve që priten të nënshkruhen. Pra mbetem i hapur padyshim, por gjithmonë insistoj që kjo vizitë të ketë rezultate dhe rezultatet janë nënshkrimi i marrëveshjeve”.

Ministri i Jashtem kosovar tha se priten edhe dy njohje te reja per shtetin e Kosoves.

“Një proces i tillë është shumë vendimtar, që Republika e Kosovës ta forcojë sovranitetin e saj të jashtëm dhe ne mendojmë që relacione në mes të Kosovës dhe të Serbisë mund të normalizohen, në mënyrë të plotë, atëherë kur republika e Kosovës do të jetë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara”, tha Hoxhaj.
 
Ministri i Jashtem i Kosovës vleresoi mbeshtetjen e plote te Shqiperise ne procesin e lobimit per njohjen e Kosoves si shtet i pavarur.

Top Channel