“Dështimi i zgjedhjeve rrezikon investimet”

15/03/2013 00:00

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri shikohen me dyshim jo
vetëm nga ndërkombëtarët e interesuar për stabilitetin politik në vend,
por dhe nga agjencitë e rëndësishme financiare të riskut, të cilat i
raportojnë biznesit në lidhje me situatën e përgjithshme të një vendi.

Një raport të agjencisë financiare britanike “Maplecroft” me një reputacion të lartë për sa i përket analizave të thelluara ekonomike dhe financiare për vendet botërore, e konsideron Shqipërinë një vend të pasigurt dhe problematik për sa u përket investimeve të huaja në këtë moment. Argumenti kryesor për të dalë në këtë konkluzion janë pikërisht zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit dhe turbullirat që pritet të vijnë pas tyre, të cilat sipas agjencisë ndikojnë në mënyrë të drejtë në klimën për investitorët në vend. Kjo agjenci i këshillon klientët e saj dhe po kështu investitorët botërorë të jenë të kujdesshëm, sepse zgjedhjet shqiptare të qershorit pritet të jenë të kontestuara. Aktualisht, situata politike në vend konsiderohet e tensionuar, por ajo parashikohet të jetë më problematike pas zgjedhjeve. Madje, në raport parashikohen dhe trazira.

“Tensionet politike po rriten në Shqipëri në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në qershor të 2013-s. Zgjedhjet pritet të kontestohen nga dy partitë e mëdha në vend. Aktualisht, PS pretendon se PD po planifikon të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme dhe kjo rrit spektrin e ngecjeve politike dhe trazirave në qershor, kur manipulimet e zgjedhjeve pritet të dalin”, theksohet në raport, ku analizohet dhe situata e përgjithshme për biznesin në vend për vende si Austria, Bullgaria, Norvegjia dhe Polonia.

Raporti thekson për investitorët dhe rëndësinë e madhe që kanë zgjedhjet shqiptare për sa i përket rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian. Por nga ana tjetër, ai vë në dukje dhe problemet që vendit i sjell mospërputhja e plotë e legjislacionit të vendit me atë të BE-së, duke i bërë konfuzë investitorët në lidhje me qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre në vend. Një tjetër problematikë për investimet në Shqipëri, raporti i agjencisë “Maplecroft” evidenton dhe efektet që kriza e eurozonës përçon në Shqipëri dhe po kështu niveli i lartë i borxhit në vend. Sipas këtyre të dhënave, ekonomia e Shqipërisë konsiderohet e paqëndrueshme.

“Ekspozimi ekstrem i krizës së eurozonës i kombinuar dhe me nivelin e lartë të borxhit në vend janë elemente strukturale sfiduese që bëjnë që ekonomia e Shqipërisë të jetë e paqëndrueshme”, evidentohet në raport. Nga ana tjetër, situata parashikohet të mos ndryshojë si rezultat i mosinteresit të qeverisë shqiptare për të kryer reforma të mëdha në vend në një periudhë parazgjedhore, ku interesi lidhet me kënaqjen e përkohshme të qytetarëve për efekte elektorale. “Reformat e domosdoshme për të stabilizuar mjedisin makroekonomik duket se ka gjasa të mos miratohen në një kohë të shkurtër në një kohë kur qeveria nuk ka gjasa të rrezikojë mundësitë e saj të rizgjedhjes, duke prezantuar iniciativa jo popullore”, analizon raporti i agjencisë britanike të riskut financiar dhe ekonomik. Kompanitë e huaja që operojnë në tregun shqiptar konsiderohen si në vështirësi nga raporti, për shkak të legjislacionit të paqartë dhe shpesh kundërshtues që ekziston në vend. Nga ana e saj qeveria shqiptare duket se po përpiqet në një këtë periudhë parazgjedhore për të rritur lehtësirat e biznesit vendas dhe të huaj, në mënyrë që ata të rrisin punësimet. Por duket se nisma të tilla më shumë se të thelluara dhe mirëstudiuara janë elektorale për të mbuluar dhe rritjen e papunësisë në vend.

Gazeta “Shqip”

Top Channel