Berisha garanton PPE: Zgjedhje me standarde

14/03/2013 00:00

Nga Brukseli, ku mori pjesë në takimin e zakonshëm të Partive Popullore Europiane, në prag të samitit të radhës, kryeministri Sali Berisha, pa përmendur aspak 2 ligjet dhe rregulloren e Kuvendit, pranoi se çështja kryesore për Shqipërinë është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Berisha thotë se garantoi krerët e partive të djathta europiane për angazhimin e mazhorancës në përmbushjen e standardeve më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit, ftoi të pranishmit të dërgojnë sa më shumë vëzhgues nëpërmjet ODIHR dhe denoncoi atë që ai e quajti “demonizim të zgjedhjeve nga ana e opozitës”.

“Çështja kryesore e Shqipërisë janë zgjedhjet. Garantova miqtë e mi se Shqipëria do të ketë zgjedhjet e standardeve më të mira ndërkombëtare, me të gjithë përgatitjet më serioze që janë bërë. Ftova që të vijnë sa më shumë vëzhgues nga vendet e tyre, meqenëse këtu ishin rreth 17 kryeministra nga vendet anëtare dhe vendet e asociuara, sikundër theksova se po bëhet një përpjekje e shpërfytyruar nga opozita për të demonizuar zgjedhjet më të mira, zgjedhjet e standardeve më të larta, që do zhvillojë Shqipëria. Po përpiqen të krijojnë mbështjetje në këtë drejtim, por është tërësisht e dështuar. Infrastruktura ultramoderne, që ka vendosur Shqipëria për zgjedhjet, vullneti i hekurt i qeverisë për zhvillimin e zgjedhjeve të standardeve më të mira, do të faktojë në dritën e diellit, se përpjekjet për demonizimin e tyre, për mosnjohjen e rezultatit, do të jenë të pashpresa. Jo frika, por kjo është e sigurt që Edi Rama nuk do pranojë kurrë rezultat tjetër, përveçse atij që do ta nxjerrë fitimtar, por këtë problem e ka me zjedhësit s’e ka me kundërshtarët. Ai faktikisht, kundërshtarë ka të gjithë qytetarët që votojnë kundër. Pra ata votojnë në shumicë kundër tij”, tha Sali Berisha.

Përveç zgjedhjeve, në bisedat e shkurtra Berisha tha se i kishte mahnitur miqtë e tij, siç u shpreh ai, me reformat ekonomike të qeverisë së tij. Në rolin e vëzhguesit, njësoj si kryeministri shqiptar, në takimin e PPE-së merrte pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ne samit merrnin pjesë Presidenti i Bashkimit Europian Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Europian Barroso, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe 16 presidentë dhe kryeministra të partive të djathta vendeve anëtare të BE.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel