Fryma e Re Demokratike premtoi zgjidhjen e çështjes së ish-të përndjekurve përmes një sërë propozimesh.

Kreu i kësaj partie, Bamir Topi e konsideroi të pafalshme që 22 vjet pas rënies së komunizmit ende nuk janë zgjidhur problemet e shtresës që vuajti më shumë gjatë regjimit të diktaturës, që nuk gjeti mbeshtetje as te Partia Demokratike, pavarësisht se ajo u ngrit mbi këtë shtresë.

Duke sjellë në vëmendje grevën e urisë së vetëm pak muajve më parë dhe vetësakrifikimin e dy prej ish-të përndjekurve, Topi tha se qeveria aktuale ushtroi presionin më të madh fizik dhe psikologjik, duke mos treguar të paktën mirënjohje për shtresën mbi të cilën lideri i së djathtës ngriti karrierën politike.

“Mungoi mirënjohja për ata mbi të cilët i përdori si kal beteje dhe tani ka kaluar në krahun tjetër të barrikadës”, deklaroi Topi.

Duke i paraprirë diskutimit për kohën kur drejtuesit e Frymës së Re Demokratike ishin pjesë e Partisë Demokratike, Topi përmendi kontributin e disa prej tyre për zgjidhjen e çështjes së ish-të përndjekurve, çështje të cilën FRD, tha ai, e ka vënë tashmë në krye të kushteve të saj për qeverinë e ardhshme.

“Aleanca jonë në qeveri ka kusht parësor dëmshpërblimin brenda tre vjetësh të ish-të përndjekurve mbi moshën 70 vjeç’, nënvizoi Topi.

FRD përmes Bedri Blloshmit, drejtori i departamentit të ish-të përndjekurve, parasheh në programin e saj për këtë shtresë:

zbatimin e rezolutës së KE-së për ish-të përndjekurit, dëmshpërblim brenda 3 vjetëve duke nisur nga ata mbi moshën 70 vjeç, si dhe për të pushkatuarit me dhe pa gjyq, një sërë nismash ligjore për përmirësimin e kompensimit financiar dhe përdorimin e letrave me vlerë në privatizimet e pronave publike, hapjen e dosjeve, shpalljen muze të burgut të Spaçit e Burrelit, ngritjen e një monumenti në Tiranë e të tjera propozime për rehabilimin e plotë të kësaj shtrese.

Top Channel