SHBA, shqetësim për Shqipërinë

13/03/2013 00:00

Unioni i Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara ka prezantuar në Senatin amerikan raportin për vlerësimin e kërcënimeve nga rajonet në mbarë botën.

Raporti, që mban firmën e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, James R. Clapper, i është paraqitur Komitetit të Posaçëm të Inteligjencës të Senatit të SHBA.

Ai përmban një pjesë edhe për rajonin e Ballkanit, ku për Shqipërinë shprehet shqetësimi për praninë e korrupsionit në institucione, ndikimin politik dhe rrezikun për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Në Shqipëri, institucionet qeveritare vuajnë nga korrupsioni dhe influenca e tepruar politike. Në qershorin e ardhshëm mbahen zgjedhjet parlamentare dhe ekziston shqetësimi për kthimin e konfliktit të ndezur partiak sikurse ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur opozita kontestoi rezultatin dhe bojkotoi disa herë Parlamentin për pothuajse dy vjet”, thotë raporti.

Në tërësi për Ballkanin, raporti vlerëson se, ndarjet etnike dhe politike në vendet e rajonit do të vazhdojnë të përbëjnë rrezikun kryesor për stabilitetin rajonal në vitin 2013.

“Shumë shtete të brishta në rajon vuajnë nga stanjacioni ekonomik, papunësia e lartë, korrupsioni dhe prania e dobët e ligjit. Edhe pse situata në veriun me shumicë serbe të Kosovës është përmirësuar që nga vjeshta e vitit 2011, angazhimi diplomatik i Perëndimit është i nevojshëm për implementimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE”, thotë raporti.

Gjithashtu, në të theksohet se rreziku i kërcënimeve dhe dhunës nga banorët me etni serbe në veri ka shumë gjasa që të rritet gjatë vitit 2013.

Bosnje e Hercegovinë, vlerëson raporti, diferencat mes elitave serbe, kroate dhe boshnjake po intensifikohen, duke kërcënuar institucionet shtetërore të BeH dhe duke vendosur pengesa për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik.

Ndërsa përsa i përket Maqedonisë, raporti e vë theksin tek rreziku i përplasjeve ndëretnike të nxitura nga maqedonasit ndaj popullsisë shqiptare.

“Në Maqedoni ne nuk presim një kthim të luftës civile sikurse ndodhi një dekadë më parë. Megjithatë, përplasjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve mund të polarizohen më shumë përgjatë vitit”, shton raporti.

Top Channel