Berisha: 16-vjeçarët duhet të votojnë

13/03/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha duket i vendosur në përpjekjen e tij për dhënien e të drejtës së votës për 16-vjeçarët.

“Kombi me moshë më të re në Europë nuk mund t’i ndalojë të drejtën e votës 16-vjeçarëve që u takon të jenë në këtë proces”, tha Berisha.

Kryeministri, duke folur në mbledhjen e Qeverisë ftoi të gjitha forcat politike që të arrijnë një konsensus për këtë çëshje, me qëllim që të mos i presin të drejtën e votës 100 mijë qytetarëve shqiptarë.

Në fillim të mbledhjes, Berisha ka deklaruar se qeveria e Shqipërisë miraton sot marrëveshjen trelaterale për projektin TAP mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.

Ndërsa e ka cilësuar si transformues gazësjellësin, kryeministri Berisha vlerësoi edhe marrëveshjen bilaterale të arritur mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë

“Kryefjalë e mbledhjes është projekti TAP, pasi në miratojmë sot këtu marrëveshjen bilaterale, marrëveshje e parë e këtij lloji mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, vende në territorin e të cilave kalon  projekti i ardhshëm më i madh siç është TAP. Me këtë rast unë dua të përshëndesë ekipin negociator shqiptar dhe të dy qeverive mike, për vendosshmërinë që treguan për përparësinë që i dhanë në axhendën e tyre këtij projekti i cili do të jetë më i madh në rajon dhe në Europë për kohën që vjen”,- tha Berisha.

Ai ka kërkuar nga ministrat që të kenë si përparësi absolute heqjen e çdo llojë barriere të pamerituar për biznesin,  për zgjerimin në maksimumin e mundshëm të lirive të biznesit dhe iniciativës së lirë.

Edhe Meta si Berisha: 16-vjeçarët të votojnë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta mbështet propozimin e Kryeministrit Sali Berisha për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç.

“16-vjeçarët e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. LSI është e para forcë politike që e ka ndryshuar statusin dhe 16-vjeçarët kanë të drejtën e votës”, tha Meta.

Sipas tij edhe nëse konsensusi për të realizuar këtë ndryshim nuk arrihet përpara këtyre zgjedhjeve, patjetër në të ardhmen 16-vjeçarët do të kenë një rol më të madh se sa e kanë sot.

Wollfarth kundër propozimit

Numri një i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth kundërshtoi propozimin e Berishës.

“Mendoj se ndoshta mund të jetë një opsion për të ardhmen, ndoshta në zgjedhjet e 2017, sepse asgjë nuk është e pandryshueshme. Por për këto zgjedhje nuk ka kohë, jemi vetëm tre muaj para zgjedhjeve dhe mesa jam në dijeni ka dalë edhe ekstrakti i parë i listave të votuesve. Eshtë shumë e rëndësishme që të kemi një situatë të qëndrueshme para zgjedhjeve, të mos bëhen ndryshime si kjo apo ndryshime të emrave të komuniteve”, tha Wollfarth.

A ka shkuar ky propozim ne tryezen e organizates qe asiston pregatitjet e zgjedhjeve ne Shqiperi per te marre konsultimin e saj ?

“Nuk jam në dijeni qe me përjashtim të ndonjë diskutimi publik, të ketë një propozim zyrtar. Për këtë duhet të pyesni Kryeministrin”, u përgjigj Wollfarth.

Top Channel