Nga mbledhja e grupit parlamentar socialist Edi Rama ka kërkuar nga
deputetët e opozitës te intensifikojnë takimet në bazë për të përcuar
programin për një Rilindje Shqiptare, njëkohësisht shtimin e prezencës
së tyre nepër rrjetet sociale.

“Epërsia e alternativës sonë është e qartë dhe është e ndjeshme në çdo kontakt me njerëzit që dëgjojnë programin tonë të rilindjes. Ja pse kontaktet e drejtpërdrejta janë rruga më e mirë dhe janë rruga më e pazëvendësueshme për të përçuar në çdo pjesë të territorit, në çdo qytet dhe në çdo fshat, në çdo familje shqiptare, programin tonë për një Rilindje Shqiptare. Njerëzit kanë shqetësime dhe probleme për të cilat ne kemi përgjigje dhe zgjidhje të qarta”, tha Rama.

Kryetari Rama i ka bërë një përmbledhje të asaj cfarë ofron programi qeverisës i Partisë Socialiste.

“Njerëzit kanë shqetësim përditë e më të madh për rënien e fuqisë blerëse dhe përgjigja jonë është e qartë: Ulje taksash për 95% të shqiptarëve. Njerëzit kanë shqetësim përditë e më të madh për rënien e punësimit. 51 mijë vende pune kanë humbur statistikisht sipas INSTAT-it në këto katër vitet e fundit të qeverisjes, pasi u premtuan 160 mijë vende pune të reja. Ne kemi një përgjigje shumë të qartë: 300 mijë vende të reja pune me votën në 23 qershor për një Rilindje Shqiptare”, theksoi Rama.

Konferencat rajonale si ajo e Shkodrës, tha Rama, do të vazhdojnë në çdo qark të Shqipërisë për të përçuar idetë dhe zgjidhjet që ofron alternative socialiste.

Top Channel