Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shpalosur programin për sportin. Lideri i opozitës tha se, duke u fokusuar te sporti për të gjithë, garantohet dhe një shoqëri më e shëndetshme.

“Është botërisht e njohur se, një lek i investuar në sportin për të gjithë, është baraz me dy lekë të kursyera në kujdesin shëndetësor për qytetarët. Ne e shikojmë këtë investim si një të tillë për një shoqëri më të shëndetshme nesër. Ne do të organizojmë sportin për të gjithë në të gjitha nivelet dhe plani ynë është që, në çdo shkollë të kemi mësuesit e edukimit fizik dhe, përveç klasave sportive, të kemi edhe një organizim, që t’i lejojë, t’i mundësojë, t’i krijojë kushte të rinjve, nxënësve apo studentëve, që të mund të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat sportive, në shkolla apo universitete, falas”, u shpreh Rama.

Rama tha se në programin e Partisë Socialiste parashikohet organizimi i klasave sportive dhe garave sportive ndërmjet shkollave apo universiteteve dhe se, përveç ambienteve private, sporti do të shtrihet në ambientet publike të prekshme nga të gjithë.

“Nuk mund të vazhdohet më, që i vetmi sport të mbetet llotoja dhe e vetmja mënyrë për të fituar të jenë 1×2. Kjo krijon një vakuum shumë të madh moral dhe psikologjik dhe njëkohësisht, duke parë se si vrapon Kristiano Ronaldo apo Mesi, krijon idenë e gabuar se je edhe ti duke vrapuar, dhe duke parë se si fitojnë ata, krijon idenë e gabuar se je duke fituar edhe ti. Në fakt, e vërteta është se kështu ne vetëm humbasim si shoqëri dhe kështu ne po humbasim një gjeneratë të tërë, që nuk po kalon përmes aktivitetit sistematik fizik”, shtoi më tej Rama.

Një investim sot për sportin, u shpreh kryetari i PS, është një investim për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.

“Duke u angazhuar për sportin, ne jemi të bindur se angazhohemi për të ndërtuar një model suksesi, që të jetë i bazuar te sakrifica, te konkurrenca dhe te merita, duke i dhënë mundësinë shoqërisë, që përmes konkurrencës dhe meritës të krijojë ata shembuj, që pastaj të bëhen pika referimi për të gjithë të rinjtë dhe, pse jo, edhe për të gjithë fëmijët”, përfundoi Rama.

Top Channel