Monitorimi i zgjedhjeve, misioni i ODIHR në Shqipëri

12/03/2013 00:00

Një ekip i ODIHR-it ka mbërritur në Tiranë për të vlerësuar nevojat që lindin për zgjedhjet e 23 Qershorit.

Serinë e një morie takimesh me zyrtarët më të lartë në vënd përfshi ata të opozitës dhe partive të tjera politike në vënd, ky ekip e nisi duke u takuar me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Panariti, i cili dha këtë deklaratë për median: “E garantova përfaqësuesen e ODIHR-it që Qeveria shqiptare është e përkushtuar dhe e interesuar në zhvillimin e një procesi normal të drejtë zgjedhor dhe që ky mision i vlerësimit të nevojave, padyshim do të ketë një kontribut të jashtëzakonshëm në garantimin e klimës së përshtatshme institucionale për organizimin e një procesi normal zgjedhor”.

Ndërsa zëvëndësdrejtorja e ODIHR-it për zgjedhjet zonja Nicola Schmidt sqaroi se qëllimi vizitës është grumbullimi fakteve që lidhen me zgjedhjet dhe arritjen në përfundimin nëse ODIHR do të dërgojë apo jo një mission vëzhgimi në Shqipëri.

“Ne jemi këtu në përgjigje të ftesës së bërë nga Qeveria shqiptare për të realizuar atë që ne e quajmë mision të vlerësimit të nevojave përpara zgjedhjeve. Ne sapo kemi arritur dhe është ende herët për ne që të arrijmë në ndonjë konkluzion. Qëllimi vizitës është pikësëpari të njihemi me situatën dhe të dalim me konkluzione nëse ODIHR duhet të dërgojë apo jo një mision vëzhgimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si rezultat i këtyre takimeve ne do të hartojmë një raport që do të bëhet publik në ëebsite-n e ODIHR. Në këtë raport do të përshkruhen gjetjet tona dhe nëse do të jetë e nevojshme të dërgojmë në Shqipëri një mision vëzhgimi”, tha Schmidt.

Top Channel