“Gjykatat mbrojnë monopolet”

12/03/2013 00:00

Kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Lati deklaroi se
gjykatat po pengojnë luftën kundër monopoleve në tregun e brendshëm.

“Shqetësimi kryesor i Komisionit të Konkurrencës është përthithja e filozofisë së konkurrencës nga gjyqësori, pasi është shumë e rëndësishme arsyetimi i bazuar në interesin publik të vendimeve të tyre”, tha Lati.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor në Komisionin e Ekonomisë, zonja Lati tha se vendimet e gjyqësorit për çështjen e konkurrencës nuk merren në interes të qytetarëve.

“Gjykata në trajtimin e çështjeve nuk e realizon nga pikëpamja e të mirës publike dhe e mirëqënies publike.Autoriteti i Konkurrencës nuk mbron interesat e askujt. Autoriteti i Konkurrencës zbaton një ligj specifik dhe njëkohësisht paraqet argumentat në zbatim të ligjit të tij”, tha Lati.

Opozita ngriti një tjetër shqetësim, atë që ka të bëjë me vendimet e Qeverisë apo administratës, të cilat kufizojnë konkurrencën dhe favorizojnë monopolet në treg.Disa prej tyre lidhen me marrëveshjet koncesionare që transferojnë monopole me ligj tek kompanitë private, si rasti i pullave të akcizës, apo tentativa për të monopolizuar shërbimin e ngjyrosjes së karburanteve.

“Të drejtat koncesionare nuk mund t’i prekë Autoriteti i Konkurrencës sepse janë detyrime kontraktuale, por Autoriteti i Konkurrencës insiston te institucionet e tjera që të bëjnë në zbatim të këtyre marrëveshjeve koncesionare rivlerësimet përkatëse për t’iu afruar realiteteve ekonomike, në të cilat do të jetë vendi dhe ky është ndoshta një detyrim i domosdoshëm, i menjëhershëm që duhet të realizojnë institucionet përkatëse”, tha Lati.

Vitin e kaluar Autoriteti mbylli hetimet në një sërë tregjesh të rëndësishme si energjia apo dhe sigurimet duke gjobitur disa kompani në shkelje të konkurrencës.   
 

Top Channel