18 muaj nga vrasja e Juxhin Guzës, ende asnjë fajtor

12/03/2013 00:00

13 shtatori i vitit 2011 do të mbetet përgjithmonë si dita më e dhimbshme në familjen Guza.

Ishte ora një pas mesnate, kur dy të rinj në tentativë për ta grabitur sulmuan me thikë djalin e tyre, Juxhin Guza, duke i shkaktuar vdekjen disa orë më vonë në spitalin e Durrësit.

Kanë kaluar 18 muaj dhe ende nuk ka fajtor për vrasjen e të riut. Familjarët e tij, mes lotëve dhe dhimbjes vizitojnë vendin e tij të prehjes.

Në familjen Guza, fotot e djalit të tyre të vetëm gjenden kudo. Medaljet dhe kupat e fituara janë gjurmë të paharrueshme për volejbollistin e talentuar të Teutës, ndërkohë krevati i Juxhinit është bosh.

Një nga personat që vuan më shumë mungesën e 24 vjecarit është Rozalba, motra e tij e vetme. Ajo tregon për raportin e tyre të vecantë.

“Ai e transmetoi pasionin e volejbollit tek unë që në vogëli. Doja të ndiqja hapat e tij, sepse e shihja duke luajtur e duke u stërvitur dhe më transmetoi atë pasion”, thotë Rozalba.

Përveç dashurisë së pashtershme ndaj njëri-tjetrit, një pikë tjetër e takimit mes motrës dhe vëllait ishte volejbolli, ky sporti i shumëdashur nga të dy.

Për 22-vjeçaren tashmë edhe ky sport nuk është më i njëjtë. Ajo kujton mes dhimbjes takimet me të vëllain në pallatin e sportit ku pasi mbaronte stërvitjen ekipi i djemve të Teutës fillonin vajzat.

“Në pallatin e sportit takoheshim gjithmonë dhe kjo pjesë e takimit më mungon shumë. Çdo sekondë që hyj në pallat, më kujtohet vëzhgimi i tij, të gjithë porositë që më jepte”, shtoi e motra.

Rozalba ishte personi i fundit nga familja që takoi Juxhinin. Mesnatën e 12 shtatorit ajo ishte kthyer nga një aktivitet sportiv në Turqi dhe priste me padurim për të parë vëllain e saj.

Ende pa u çmallur me të motrën, 24-vjeçari e përcjell atë për në shtëpi dhe largohet drejt lokalit të cilin ai e menaxhonte.

“Më bëri çudi, sikur e thirri Zoti, sepse nga ato ditë pa u takuar thamë do takohemi e do të rimë bashkë. Më tha ngjitu lart se unë do të shkëputem pak të shkoj deri në punë dhe do të vij sërisht të flasim”.

Rozalba është e para që dëgjoi britmën e të vëllait pasi ai ishtë plagosur. Është një moment që ajo dëshiron ta fshijë nga kujtesa, por e ka të pamundur.

Jeta e Rozalbës dhe e familjes Guza nuk është me e njëjtë. Cdo ditë ata zgjohen me dhimbjen për dajlin e tyre. Mungesa e Juxhinit është e pazëvendësueshme.

“Sa herë hyj në shtëpi, më mungon kujdesi, përkujdesja, fjalët e tij dhe këshillat që më jepte. Juxhini ka lënë një boshllëk shumë të madh tek unë, një boshllëk që zgjerohet çdo ditë, pasi ai është një vend që do të mbetet gjithmonë bosh në jetën time”, thotë Rozalba.

Kur kanë kaluar 18 muaj nga ngjarja prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet për plagosjen e të riut ndërkohë në Gjykatën e Apelit pritet të vazhdojë gjyqi për mjekim të pakujdesshëm ndaj mjekëve Dalip Çela dhe Nuri Qyra.

Kirurgu dhe anestezisti i spitalit të Durrësit janë dënuar me një vit burg për mjekim të pakujdesshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Sot, Juxhin Guza i mungon familjes së tij të shtrenjtë, djali i ëmbël i mungon nënë Irmës e baba Luanit, motër Rozalbës, i mungon vëllai i saj i dashur.

Ekipi i volejbollit të Teutës nuk ka më një nga sportistët më të talentuar. Juxhini i mungon Shijakut, vendit ku ai lindi, i mungon Durrësit qytetit ku u rrit.


Nëna e Juxhinit rikthehet në natën e tragjedisë: Vrasësit dhe mjekët më morën djalin

E ftuar në studion e “Pasdites” në “Top-Channel”, Irma, nëna e të ndjerit Guza, u rikthye në ditën më të kobshme të jetës së saj, duke rrëfyer dhembjen e duke lëshuar edhe një herë një apel për drejtësinë dhe autoritetet shqiptare.

“Dhimbja në këtë televizion shndërrohet në prehje, pasi edhe ju e dini se çfarë do të thotë të humbsini njeriun më të afërt. Unë e di dhe e ndiej se Xhino na ndjek dhe na sheh sepse besojmë tek forcat e mbinatyrshme. Është ai që na jep forcë të përballojmë këtë situyatë. Në 12 shtator, Xhinon ma qëlluan me thikë poshtë pallatit për t’i marrë një varëse floriri. Kush e qëlloi? Kemi pritur orë, ditë, javë dhe jemi sot në muajin 18, që s’kemi asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse. Kjo heshtje është më e rëndë se mohimi i së vërtetës”, tha Irma.

“Atë natë, ai doli nga makina dhe dy të rinj, dy vrasës ordinerë u përpoqën ta vidhnin. Përballë rezistencës së djalit, ata e qëlluan me thikë në kofshë. Britma u dëgjua nga të gjithë banorët. Zbresim poshtë të alarmuar dhe e gjej djalin të mbytur në gjak. Më tha “mami, deshën të më vidhnin”. Këto janë edhe fjalët e fundit të tij”.

Megjithatë, në këtë moment, fjala e fundit për jetën e 24-vjeçarit nuk ishte ende e thënë. “Në atë moment, bashkëshorti im i hoqi rripin e pantalloneve dhe i lidhi plagën. E çuam në spital në gjendje të kontrollueshme, por për fatin tonë të zi, atë natë ishin mjek roje kirurgu Dalip Xhela dhe anestezisti Nyri Qyra. Ata e morën, e futën në operacion, bënë mjekimin e duhur dhe në atë moment na dhonë që gjendja është jashtë rrezikut, që gjithçka ishte pozitive, kaloi e keqja dhe u qetësuam. Në këto momente, shoqëria e djalit vjen në spital dhe i kërkojnë mjekëve ta çojnë në Tiranë, por ata thanë që nuk ishte e nevojshme dhe madje nuk thirrën as specialistët. Vetëm sa e ngjitën lart në reanimacion për një trajtim më të avancuar dhe shkuan të flinin. Në reancimacion e ndjek një infermiere, që për mendimin tim ka peshë të jashtëzakonshme në ndërgjegje. Ajo, në mënyrë indiferente, na thonte vazhdimisht që të ishim të qetë, se shenjat jo të pëlqyeshme ishin nga dalja e narkozës. Ndërkaq, largohej dhe bënte punë të tjera, ndërsa parametrat jetësorë në monitor sa vinin dhe përkeqësoheshin”.


Babai tregon orët dramatike: Drejtësia e munguar, vrasja e dytë e djalit tonë

“Ne nuk kuptonim asgjë, pasi doza e optimizmit që na jepnin infermierët na inkurajonin aq shumë. Na thonin se ishte në efektin e narkozës dhe unë e shikoja që ai fliste përçart, filloi të humbiste ngjyrën, por prapë askush nuk u alarmua. Në këtë moment, gruaja i thotë infermierës që të shkonte dhe të zgjonte urgjent mjekët, edhe pse ajo nuk donte. Kur vjen doktori, i thotë pse nuk më zgjove më parë. Në këtë kohë, ishte vulosur gjithçka për djalin”, kujton me dëshpërim Luani, babai i Juxhinit.  

“Në orët në vazhdim erdhën specialistët, rihapën plagën. Difekti i punës së tyre ishte që kishin bërë një qepje sipërfaqose dhe nuk ndaluan rrjedhjen e gjakut nga arteria. Ai kishte humbje gjak gjatë të gjithë kohës”.

“Më e tmrrshmja ishte se këta mjekë u përpoqën të mbulonin gjithçka. Unë e kam ndjekur gjyqin, fakti që janë mohuar gjëra që janë kaq të dukshme, e ka bërë edhe më të dhimbshme këtë situatë. Gjykata i dënoi me një vit burg mjekët dhe një vit e mbaruan me paraburgimin, ndaj dolën që atë ditë. Iu rikthyen vendeve të punës dhe sot janë ende në atë punë”.


Presidenti i Urdhërit të Mjekëve: Doktorët, në fillim t’i gjykojë drejtësia, pastaj ne

Në lidhje direkte me emisionin e “Pasdites”, doktor Din Abazaj, presidenti i Këshillit të Urdhërit të Mjekut, shpjegoi pozicionin e institucionit. “Përsa kohë është në gjykim, nuk kemi të drejtë të gjykojmë apo të vendosim mbi përgjegjësinë e mjekëve. Pasi drejtësia të thotë fjalën e saj përfundimtare, ne mund të marrin masat tona me aktet normative. Ndërsa drejtësia mund t’i burgosë, ne e shohim çështjen në aspektin profesional dhe jemi ne ata që vendosim për revokimin ose jo të liçensës”.

Top Channel