Përvjetori i masakrës së Përmetit

09/03/2013 00:00

Është përkujtuar në qytetin e Përmetit përvjetori i ekzekutimit të 6 personave pas përplasjes me repartet e ushtrisë që kishin shkuar për të shtypur revoltat.

Vrasja ka ndodhur në qendër të qytetit dhe autorë ishin ushtarakë që ndodheshin në këtë qytet për të mos lejuar shtrirjen e rebelimit pas rrëzimit të skemave piramidale.

Për shkak të tensionit, forcat politike kërkuan largimin e reparteve të ushtrisë dhe të punonjësve të SHIK-ut nga qyteti. Gjatë largimit pati një përplasje dhe nga një kamion ushtarak u qëllua dhe u vranë tre persona, më pas edhe dy të tjerë, ndërsa në fund u gjet i vrarë edhe kryetari lokal i Partisë Demokratike. Në kujtim të kësaj ngjarjeje janë vendosur tufa me lule pranë memorialit.

Gilbert Jaçe, kryetar i Bashkisë Përmet, thekson: “Kemi ardhur për të bërë detyrën tonë si qytetarë karshi bashkëqytetarëve tanë të cilët kanë humbur jetën më 9 mars 1997, kur ushtria e Sali Berishës erdhi dhe pushtoi një qytet. I bëj thirrje shtetit që kohë të tilla të mos përsëriten më pasi shteti ka detyrë të na mbrojë dhe jo të na vrasë.”

Kjo ishte një nga ngjarjet më të rënda të atij viti që mbeti pa ndëshkim të autorëve, ashtu si shumë ngjarje të tjera në atë pranverë të trazuar të vitit 1997.

 

Top Channel