Korçë-Voskop, rruga e shkatërruar

09/03/2013 00:00

Rruga Korçë-Voskop, e cila është edhe fillesa që të çon në drejtim të fshatit turistik të Voskopojës, është lënë në harresë.

Prej vitesh njihet transformimi i rrugës në një makth të vazhdueshëm që ndrydh dëshirën për të shkuar në fshatin turistik të Voskopojës. Makina fundoset mes gropave dhe baltës përgjatë 8 kilometrave të saj, ndërsa duket se në të nuk janë bërë asnjëherë ndërhyrje.

Edhe pse një rrugë nacionale, ajo më tepër ngjan me një pjesë të harruar e të braktisur nga instancat, ndërkohë që çdo ditë ajo përshkohet nga dhjetëra automjete të cilat kanë si destinacion pikën turistike të Voskopojës.

Edhe pse është sjellë vazhdimisht në qendër të vëmendjes për të gjetur një zgjidhje apo edhe për të sjellë ndonjë përmirësim të vogël, harresa është emri që i shkon më tepër për shtat kësaj rruge dhe atyre që u duhet të ecin me automjete çdo ditë përgjatë saj.

Top Channel