Policia e Tiranës i ka dhënë fund pengmarrjes 3 ditore të një të riu nga Librazhdi, i cili mbahej i izoluar në një lokal afër stacionit të trenit.

Ata i kërkonin babait të 22-vjeçarit një borxh të pashlyer prej 86 mijë lekësh. Policia ndërhyri në momentin e shkëmbimit të pengut me paratë dhe ndaloi 3 autorët.

Zëdhënësja e policisë së kryeqytetit jep detajet mbi ngjarjen.

“22-vjeçari Fatjon Xhafaj ishte marrë dhe mbajtur peng për 3 ditë, në një ambjent të mbyllur të një lokali, i ndodhur në afërsi të stacionit të trenit, në Tiranë. Rrëmbimi i këtij personi është kryer nga shtetasit: Artur Zef Kolpepaj, 18 vjeç, lindur e banues në Tiranë, Martin Kol Kështjari, 23 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë, si dhe shtetasi Bledar Frrok Vata, 23 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë, janë shoqëruar në ambjentet e policisë edhe 3 shtetas të tjerë, të cilët po merren në pyetje, si persona që kanë dijeni për rrethanat e këtij hetimi. Falë një pune të mirëfilltë operacionale dhe hetimore, u konkludua se babait të të dëmtuarit, autorët i kërkonin përmes kërcënimeve me anë të telefonit një sasi parash prej 860 mijë lekësh të vjetra, për shkak të një borxhi të pashlyer”, tha Alma Katragjini.

Top Channel