“Referendumi për 3 ligjet, i paligjshëm”

05/03/2013 00:00

A është e pakufizuar e drejta për të çuar në votë popullore çdo ligj që Kuvendi voton apo nuk voton sic është rasti i tre ligjeve të mbetura të bllokuar për shkak se kërkojnë shumicë të cilësuar?

Kundërshtimi i parë vjen nga hartuesit e Kushtetutes. Juristi Sokol Azizaj sjell në vemendje nenin 81 të Kushtetutës,  sipas të cilit miratohen me 3/5 e anëtarëve në Kuvend, ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve. Ky nen sipas tij i jep të drejtën vetëm parlamentit të miratojë tre projekt-ligjet e shumëdiskutuara për shkak se kanë të bëjnë pikërisht me funksionimin e institucioneve.

“A duhet të kalojnë këto nisma në referendum? Mendoj që juridikisht dhe konstitucionalisht  referendumi nuk mund të bëhet”, thotë zoti Azizaj.

Argumenti i dytë i Azizaj, që shkon në mbështetje të bindjes së tij se mbajtja e referendumit për tre draftet është e anti-kushtetuese, është ajo që ai e veçon si ana materiale që do të thotë përmbajtja e tre ligjeve.

“Gjykata Kushtetuese merr vendimin për të çuar në votë popullore një çështje të rëndësisë së veçantë”,  thuhet në nenin 150 të ligjit themeltar të shtetit, të cilit edhe i referohen nismëtarët e referendumit dhe heqin paralele me vendimin e kushtetueses për çështjen e mbetjeve.

“Me aq sa di për vendimin, mund të ketë ndonjë gjë ekuivalente mes nismës së Kuvendit dhe për të mos importuar mbetjet mjedisore nga vendet e tjera në raport me 3 ligjet. Por kush është rëndësia e veçantë që ka rregullorja e parlamentit për jetën e qytetarëve?”, tha Azizaj.

Ajo që është e qartë, sipas Azizajt, është kapërcimi i kompetencave të parlamentit si një tjetër rrezik për tejkalimin e këtij pushteti.

Top Channel